Botë

Personi më i ri që ka fluturuar i vetëm rreth botës

Mack Rutherford, 17 vjeç, është bërë personi më i ri që ka fluturuar i vetëm rreth botës në një avion të vogël pasi ka kaluar 54,124 km dhe ka vizituar më shumë se 30 shtete.

17-vjeçari ka aterruar në afërsi të kryeqytetit bullgar Sofje, në të njëjtin vend prej ku ishte nisur në avionin e tij super të lehtë Shark Aero më 23 mars të këtij viti.

Përgjatë rrugëtimit Mack, i cili i ka prindërit britanikë, por është rritur në Belgjikë, ka hasur në stuhi rëre në Sudan dhe ka kaluar natën në ishullin e pabanuar të Paqësorit.

Rrugëtimi i Rutherfordit ka zgjatur më shumë seç ishte planifikuar për shkak të vonimit të lejeve që e kishin shtyrë që të ndryshonte itinerarin dy herë dhe të fluturonte mbi Afrikë, Lindje të Mesme, Azi Jugore, Amerikë Veriore dhe prapa në Evropë.

Rutherford u bë personi më i ri që ka flutuar i vetëm rreth botës duke e rrëmbyer titullin nga Travis Ludlow i cili i kishte 18 vjet kur e kishte përfunduar fluturimin e tij vitin e kaluar.

Ai tani është po ashtu edhe personi më i ri që ka fluturuar rreth botës në një avion mikro të lehtë, titull të cilin më herët e mbante motra e tij Zara e cila e kishte përfunduar fluturimin rreth globit në janar të këtij viti.