Policia izraelite ka arrestuar 34 persona për shkak të organizimit të një proteste në Jerusalem.
Mijëra persona janë mbledhur para rezidencës së kryeministrit Benjamin Netanyahu, si pjesë e protestave disaditëshe që kanë nisur në shenjë pakënaqësie kundër tij. Policia është arsyetuar se arrestimi i protestuesve është bërë pasi që ata i kishin kundërshtuar thirrjet për t’u shpërndarë.
Netanyahu përballet në presion të shtuar, shkaku i kritikave për mbajtjen e postit të kryeministrit ani pse po gjykohet për korrupsion dhe keqmenaxhim të krizës së koronavirusit.
Në javët e fundit, izraelitët kanë organizuar disa prej protestave më të mëdha kundër kryeministrit gjatë dekadës së fundit.
Kryeministri izraelit po gjykohet për një mori akuzash, që përfshijnë atë se pranoi dhurata të majme nga miqtë miliarderë dhe vazhdimisht u kreu favore pronarëve të mediave për t’u paraqitur sa më mirë para publikut.