Botë

Ambasadori amerikan ia tregon vendin Kinës

"Ne patëm një takim shumë dinamik, do të thosha mjaft kontestues", tha Burns, duke përshkruar në detaje për herë të parë atë diskutim, i cili u konfirmua nga Uashingtoni dhe Pekini në atë kohë. "Unë mbrojta kryetaren (e Dhomës së Përfaqësuesve). Mbrojta të drejtën e saj për të udhëtuar në Tajvan. Mbrojta paqen dhe stabilitetin që kemi pasur në ngushticën e Tajvanit për gati gjashtë dekada"

Kina duhet të bindë botën se nuk është "agjent destabiliteti" dhe se do të veprojë në mënyrë paqësore në ngushticën e Tajvanit, tha ambasadori amerikan në Kinë, Nicholas Burns, në intervistën e tij të parë televizive që nga marrja e postit të tij në Pekin gjashtë muaj më parë.

Burns foli hapur për reagimin e Pekinit ndaj vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, në Tajvan në fillim të këtij muaji, të cilës Kina iu kundërpërgjigj duke nisur stërvitje të gjera ushtarake rreth ishullit vetëqeverisës dhe duke pezulluar komunikimet kryesore diplomatike me SHBA-në.

“Reagim i tepruar”

"Ne nuk besojmë se duhet të ketë krizë në marrëdhëniet SHBA-Kinë lidhur me -- vizitën paqësore -- të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve në Tajvan ... ishte një krizë e prodhuar nga qeveria në Pekin, por ishte një reagim i tepruar”, tha Burns për televizionin CNN nga Ambasada amerikane.

Tani i takon qeverisë në Pekin të bindë pjesën tjetër të botës se do të veprojë në mënyrë paqësore në të ardhmen, tha ambasadori.

"Unë mendoj se ka shumë shqetësime në mbarë botën se Kina tani është bërë një agjent i destabilitetit në ngushticën e Tajvanit dhe kjo nuk është në interesin e askujt”, ka shtuar Burns për televizionin CNN.

Burns, diplomat karriere dhe ish-ambasador i SHBA-së në NATO, mbërriti në Pekin në mars për të marrë atë që është ndoshta posti më i rëndësishëm diplomatik i SHBA-së, duke u marrë me lidhjet SHBA-Kinë tashmë të tendosura nga tensionet mbi një sërë çështjesh, përfshirë të drejtat e njeriut në Kinë, të dhënat sekrete e private, praktikat tregtare dhe zgjerimin ushtarak në Detin e Kinës Jugore.

Takimi i orëve të natës

Kufizimet e rrepta të Kinës kundër Covid-19 kanë reduktuar gjithashtu udhëtimin diplomatik brenda dhe jashtë Kinës, duke e vendosur Burnsin edhe më qartë në vijën e parë të trajtimit të marrëdhënieve gjithnjë e më të diskutueshme midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

Kjo ishte e qartë natën e 2 gushtit, kur Burns mori një thirrje për takim me zëvendësministrin e Jashtëm kinez, Xie Feng, në atë që ai e përshkruan si momentin e saktë që avioni që transportonte Pelosin dhe delegacionin e saj të Kongresit u ul në Taipei.

"Ne patëm një takim shumë dinamik, do të thosha mjaft kontestues", tha Burns, duke përshkruar në detaje për herë të parë atë diskutim, i cili u konfirmua nga Uashingtoni dhe Pekini në atë kohë.

"Unë mbrojta kryetaren. Mbrojta të drejtën e saj për të udhëtuar në Tajvan. Mbrojta paqen dhe stabilitetin që kemi pasur në ngushticën e Tajvanit për gati gjashtë dekada", tha Burns, duke shtuar se ai e sfidoi Xien për të siguruar që qeveria kineze do të vepronte në një mënyrë që do të "promovonte paqen dhe stabilitetin".

Në vend të kësaj, tha Burns, Pekini projektoi përgjigjen e tij, duke përfshirë dërgimin e raketave mbi Tajvan, për të "frikësuar dhe detyruar autoritetet e Tajvanit" dhe ka "kryer një fushatë globale" duke fajësuar SHBA-në për atë që e sheh si minim të stabilitetit në ngushticën e Tajvanit.

"Ne kemi qenë shumë, shumë të qartë rreth (ruajtjes së politikës sonë). Çështja është -- a do të reagojë një qeveri në një mënyrë agresive dhe të dhunshme për të prishur paqen? Kjo duhet të shqetësojë të gjithë në botë”, tha ai.

Hakmarrja kineze

SHBA-ja mbështet politikën "Një Kinë", por kurrë nuk e ka pranuar pretendimin e Partisë Komuniste në pushtet të Kinës për sovranitet mbi Tajvanin. Uashingtoni ka "paqartësi strategjike" nëse do t’i dilte në mbrojtje Tajvanit në rast të një sulmi kinez.

Partia Komuniste është zotuar prej kohësh të "ribashkojë" ishullin, të cilin nuk e ka kontrolluar kurrë, me kontinentin kinez, me forcë nëse është e nevojshme.

Kina e cilësoi vizitën e Pelosit si shkelje të "sovranitetit dhe integritetit territorial" të saj, me homologun e Burnsit, ambasadorin kinez në SHBA, Qin Gang, në fillim të muajit që tha se SHBA-ja duhet "të mbajë përgjegjësitë" për situatën që ka krijuar.

Hakmarrja diplomatike e Pekinit përfshinte anulimin e telefonatave dhe takimeve të ardhshme midis liderëve të mbrojtjes kineze dhe amerikane dhe pezullimin e bisedimeve dypalëshe për klimën midis vendeve -- dy emetuesit më të mëdhenj të karbonit në botë.

Këto masa dhe vizita e Pelosit, erdhën pas një bisede telefonike midis udhëheqësit kinez, Xi Jinping, dhe presidentit amerikan, Joe Biden, në fund të korrikut, në të cilën të dyja palët kishin thënë se ekipet e tyre do të mbanin kontakte për bashkëpunimin, duke përfshirë një takim të mundshëm ballë për ballë. Të dy nuk janë takuar personalisht gjatë kohës së Bidenit si president, me Xinë që drejtonte pjesën më të madhe të diplomacisë së tij të epokës Covid përmes video-lidhjeve.

Burnsi tha se masat diplomatike të Pekinit në vazhdën e vizitës së Pelosit mund të kenë efekte globale, duke shtuar se pezullimi i bisedimeve për klimën nga ana e Kinës do të ndikonte në jugun global dhe vendet që janë më të ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike.