Botë

21 të vdekur nga shpërthimi në një xhami në Kabul

Një shpërthim i madh në një xhami të mbushur me njerëz në kryeqytetin afgan Kabul, ka lënë të vdekur të paktën 21 persona, sipas policisë lokale.

33 persona të tjerë u plagosën, tha zëdhënësi i policisë së Kabulit, Khalid Zadran, raportoi BBC të enjten.

Shpërthimi i së mërkurës ndodhi gjatë lutjeve të mbrëmjes. Imami i xhamisë raportohet të jetë në mesin e të vdekurve.

Është e paqartë se kush qëndron pas sulmit, një javë pasi një militant i shquar i të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS) vrau një klerik pro-Taliban në një shpërthim vetëvrasës me bombë, gjithashtu në Kabul.

IS është shfaqur si armiku më i fuqishëm i talebanëve, të cilët morën kontrollin mbi Afganistanin vitin e kaluar. Të dy grupet tani janë përfshirë në një betejë të turbullt dhe të përgjakshme.

Forcat e sigurisë tani kanë mbyllur skenën e shpërthimit në Kabul.

Dëshmitarët përshkruan se kishin dëgjuar një shpërthim të fuqishëm që thyen xhamat e ndërtesave aty pranë.