Botë

“Politico”: SHBA-ja mbështet sulmet e Ukrainës në Krime

Ukraina ka mbështetjen e Amerikës për të goditur rusët në Krime, shkruan Politico të mërkurën.

Kievi qëndron pas tri shpërthimeve të javës së kaluar në gadishullin e aneksuar nga Rusia, sipas një dokumenti të qeverisë ukrainase të siguruar nga CNN-i, duke përfshirë një shpërthim të madh në bazën ajrore Saki, që shkatërroi disa prej avionëve luftarakë të Moskës.

Asnjë zyrtar ukrainas nuk e ka pranuar ende publikisht përfshirjen e Kievit në shpërthimet në Krime. Por ministri i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, i tha Zërit të Amerikës të mërkurën, se Ukraina nuk e ka përjashtuar mundësinë e goditjes së territorit të pushtuar me armë të ofruara nga SHBA-ja.

“Nëse po flasim sot për de-okupimin e territoreve të okupuara përkohësisht të Ukrainës ku është armiku, atëherë, përkatësisht, nuk kemi kufizime të tilla”, tha ai.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane i tha NatSec Daily, se SHBA-ja mbështet sulmet në Krime nëse Kievi i konsideron të nevojshme.

“Ne nuk zgjedhim objektiva, sigurisht, dhe gjithçka që kemi ofruar është për qëllime vetëmbrojtjeje. Çdo objektiv që ata zgjedhin të ndjekin në tokën sovrane të Ukrainës është me përkufizim vetëmbrojtjeje”, tha ky zyrtar.

Ndërkaq, një zyrtar ukrainas tha se mesazhi i mbështetjes ka mbërritur në Kiev.

Administrata amerikane ka qenë jashtëzakonisht e qartë se Ukraina nuk duhet të përdorë armë të prodhuara nga Amerika për të sulmuar brenda Rusisë, por Washingtoni nuk e njeh kontrollin e Moskës mbi gadishullin e pushtuar me forcë më 2014.