Botë

Arkivistët ruajnë në mënyrë digjitale trashëgiminë ukrainase

Rrënoja lufte në të gjitha anët. Ndërtesa aq të shkatërruara nga bombat ruse saqë më as nuk dihen çka janë.

UNESCO-ja ka bërë të ditur se të paktën 70 objekte fetare, 13 muze, 33 ndërtesa historike dhe 17 monumente janë dëmtuar që nga pushtimi rus në shkurt.

Tash, statujat e çmuara janë zhvendosur nga një muze i dëmtuar te punëtorët ukrainas, të etur për ta mbrojtur trashëgiminë e vendit.

Projekti i ri digjital po ofron një mënyrë tjetër për t’i mbajtur këto vende të shkatërruara të sigurta.

“Backup Ukraine” mbështetet te vullnetarët në vend që i dokumentojnë vendet e rëndësishme.

“Mënyra më e shpejtë për ta fshirë identitetin kombëtar të një populli është duke shkatërruar trashëgiminë e tyre kulturore. Kështu, kur pamë saktësisht se çka po ndodh, e kuptuam se duhej të bënim diçka sa më shpejt që është e mundur”, shpjegon Tao Thomsen, një nga themeluesit e projektit.

Projekti i lejon ukrainasit e zakonshëm të bëhen arkivistë digjitalë vullnetarë, duke fotografuar ndërtesa, monumente si modele të plota 3D duke përdorur vetëm telefonat e tyre të mençur.

“Backup Ukraine”, mundësohet nga një aplikacion celular me skanim 3D që përdor fotogrametrinë, ose teknologjinë LiDAR, për të krijuar një model të detajuar tredimensional.

Thomsen sqaron se nevojiten vetëm 100 imazhe për ta krijuar një skanim të detajuar 3D, por ata rekomandojnë marrjen e plot 250 imazheve për të arritur cilësinë më të mirë.

“Njerëzit e përditshëm që përdorin vetëm telefonat e tyre mund të bëjnë modele vërtet të sakta 3D në një nivel që zakonisht rezervohet për profesionistët me miliona dollarë pajisje. Ajo fuqi është tani në xhepin e çdo ukrainasi”.

Projekti, i cili u lansua në prill, mbështetet nga komiteti kombëtar i UNESCO-s i Danimarkës dhe “Blue Shield”, organizatë ndërkombëtare që synon ta mbrojë trashëgiminë kulturore nga kërcënimet, si konfliktet e armatosura ose fatkeqësitë natyrore.