Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka akuzuar Rusinë se po përdorë “shantazhin bërthamor” në centralin energjetik bërthamor në Zaporizhzhia, raporton BBC.
Është centrali më i madh bërthamor në Evropë. Rusia e ka marrë nën kontroll në mars dhe akuzohet se e ka kthyer në bazë prej nga po godet qytetet fqinje.
Të dy shtetet e kanë fajësuar njëra-tjetrën për granatime në afërsi të centralit në ditët e fundit. Ndërsa Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për një katastrofë nukleare.
Zelensky ka thënë se çdo ushtar rus që qëllon në apo nën mbrojtjen e centralit do të jetë “shënjestër e veçantë”.
Zelensky në adresimin e tij ka thënë se Rusia po provokon vazhdimisht duke gjuajtur në central e po ashtu forcat ruse të stacionuara atje po e përdorin si bazë për të granatuar qytetet Nikopol e Marhanets.