Botë

Sulmuesi në Cetinë që vrau 11 persona e telefonoi qiramarrësin dhe i tha se ia vrau familjen

Vuk Boriloviq, 34 vjeç nga Cetinja e Malit të Zi ka vrarë të premten 11 bashkëqytetarë dhe ka plagosur gjashtë të tjerë.

Pasi vrau një grua dhe dy fëmijët e saj të mitur, Boriloviqi qëlloi me pushkë gjuetie fqinjët, shërbimet e urgjencës mjekësore, pjesëtarët e policisë dhe kalimtarët.

Sipas pretendimeve të autoriteteve, gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, ai është qëlluar për vdekje nga shtetasi N.K., raportoi Vijesti të shtunën.

Sipas të dhënave zyrtare, Boriloviqi ka hyrë në banesën e qiramarrësve të tij rreth orës 15:30 dhe ka vrarë një djalë njëmbëdhjetë vjeç në derë, pastaj vëllanë e tij tre vjet më të vogël, dhe më pas ka qëlluar nënën e tyre - Natasha Pajoviq Martinoviq.

Pasi i ka vrarë, ka telefonuar babanë dhe bashkëshortin e tyre, Millosh Martinoviqin dhe i ka thënë: “Unë e kam vrarë familjen tënde dhe timen”, kanë thënë disa zyrtarë nga policia për Vijestin.

Në 45 minutat e tjera pas vrasjes së tre personave të parë, në një distancë totale prej 80 metrash nga shtëpia e tij, ai vrau edhe shtatë dhe plagosi gjashtë të tjerë.

Autoritetet shpjeguan se pas vrasjes së Martinoviqit, ai hyri në shtëpinë e fqinjit ku vrau bashkëqytetarët e moshuar Danijela dhe Dimitrije Drecun, dhe plagosi rëndë nipin e tyre Aleksandar Drecun 32 vjeç. Në prag të asaj shtëpie ka vrarë edhe djalin e tyre, Rajko Drecun 56 vjeç, i cili ka vrapuar drejt shtëpisë kur ka dëgjuar të shtënat.

Boriloviq vrau edhe fqinjin e tij, Milan Mitroviq 37 vjeç, e më pas dajën e tij, Goran Gjurishiq 54 vjeç, dhe më pas, duke zbritur në rrugë, vrau fqinjët, Aleksandra 52 vjeç dhe Danijela Radunoviq 51 vjeç.

Ai plagosi edhe katër fqinjë të tjerë - Slavica Zviter, Filip Gjurkoviq, Mileva Ramadanoviq dhe Darinka Çelebiq, si dhe policin Ljubisha Maksimoviq. Qendra Klinike e Malit të Zi bëri të ditur mbrëmë se tre nga të plagosurit janë operuar dhe janë vendosur në Repartin e Mjekimit Intensiv.

Autoritetet nuk zbuluan detajet dhe motivet që e shtynë Boriloviqin të kryente aktin brutal.


11:01- Njëri nga të plagosurit në Cetinë në rrezik për jetën

Nga Qendra Klinike ku po trajtohen të plagosurit nga sulmi i të premtes në Cetinë të Malit të Zi , është bërë e ditur se njëri prej pacientëve është në rrezik për jetën.

“Pacienti i dytë është trajtuar në kirurgjik pas pranimit, ka lëndime në strukturat e trurit dhe strukturat kockore të kokës dhe kraharorit, i rrezikohet jeta dhe ndodhet në Repartin Qendror të Mjekimit Intensiv”, thuhet nga Qendra Klinike.

Sipas njoftimit, pacienti i tretë ka lëndim në organet e barkut, kryesisht në mëlçi, dhe po i nënshtrohet terapisë dhe monitorimit intensiv të mëtejshëm, ndërkaq pacienti i katëet ka lëndime në qafë dhe gjoks.

“Pacienti i katërt ka lëndime në qafë dhe gjoks, frakturë e hapur e krahut të djathtë, po ashtu është trajtuar kirurgjik dhe ende kërkon trajtim në reanimacion”, njoftoi Qendra Klinike.