Botë

Rusia po e përdor “shantazhin bërthamor” si armë në Ukrainë

Descriptive Text

Uzina Zaporizhzhia ndodhet në Ukrainën jugore, pranë qytetit Enerhodar në brigjet e Lumit Dnjepër. Luftimet rreth centralit kanë nxitur frikën për një fatkeqësi si ajo në Çernobil, ku një reaktor shpërtheu dhe shkaktoi rrezatim vdekjeprurës, duke ndotur një zonë të madhe në aksidentin më të keq bërthamor në botë

Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar njëra-tjetrën për bombardimin e termocentralit më të madh bërthamor të Evropës, duke nxitur frikën ndërkombëtare për një katastrofë në kontinent. Një vështrim mbi centralin dhe situatën rreth tij.

Centrali më i madh bërthamor në Evropë

Uzina Zaporizhzhia ndodhet në Ukrainën jugore, pranë qytetit Enerhodar në brigjet e Lumit Dnjepër. Është një nga 10 centralet bërthamore më të mëdha në botë.

I ndërtuar gjatë epokës sovjetike, ai ka gjashtë reaktorë me një kapacitet total prej 5.700 megavatësh. Tre nga reaktorët janë në funksion.

Para luftës, termocentrali përbënte rreth gjysmën e energjisë elektrike të prodhuar nga energjia bërthamore në Ukrainë. Vendi ka 15 reaktorë në katër termocentrale aktive dhe gjithashtu është shtëpia e centralit të çmontuar të Çernobilit, vendi i fatkeqësisë bërthamore të vitit 1986.

Image

Nën kontrollin rus

Trupat ruse pushtuan centralin menjëherë pasi pushtuan Ukrainën më 24 shkurt.

Gjatë luftimeve në fillim të marsit, forcat ruse dhe ukrainase shkëmbyen zjarr pranë centralit. Përleshjet rezultuan me zjarr në kompleksin e tij të stërvitjes.

Rusët kanë lënë stafin ukrainas në vend për të mbajtur centralin në funksion dhe ai ka vazhduar t’i furnizojë me energji elektrike pjesët e kontrolluara nga Qeveria e Ukrainës.

Luftimet rreth centralit kanë nxitur frikën për një fatkeqësi si ajo në Çernobil, ku një reaktor shpërtheu dhe shkaktoi rrezatim vdekjeprurës, duke ndotur një zonë të madhe në aksidentin më të keq bërthamor në botë.

Forcat ruse okupuan vendin shumë të kontaminuar të Çernobilit, menjëherë pas pushtimit, por ia kthyen kontrollin ukrainasve pasi u tërhoqën nga zona në fund të marsit.

Akuzat e kundërakuzat

Ukraina ka akuzuar Rusinë për vendosjen e trupave dhe armëve në central dhe për përdorimin e terrenit për të nisur sulme kundër territorit të kontrolluar nga Ukraina përtej Dnnjeprit. Zyrtarët ukrainas dhe analistët ushtarakë thonë se forcat e Moskës e kanë përdorur në mënyrë cinike centralin si mburojë, duke e ditur se ukrainasit do të hezitonin të kundërpërgjigjeshin.

Rusia i ka mohuar akuzat dhe, nga ana tjetër, ka akuzuar forcat ukrainase për bombardime të vazhdueshme të centralit.

Një seri sulmesh në termocentral gjatë ditëve të fundit kanë dëmtuar disa nga pajisjet e tij ndihmëse, por jo reaktorët e tij dhe nuk ka pasur asnjë kërcënim për rrjedhje rrezatimi, sipas autoriteteve ruse.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se bombardimi ukrainas i centralit të dielën shkaktoi një rritje të energjisë dhe tym, duke shkaktuar mbyllje emergjente dhe duke detyruar stafin ta ulë prodhimin nga dy prej reaktorëve.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, paralajmëroi se bombardimi ukrainas i termocentralit është “plot me pasoja katastrofike për territore të gjera, për të gjithë Evropën”, ndërsa Ministria e Jashtme ruse ka akuzuar Ukrainën se “ka marrë peng të gjithë Evropën”.

Zyrtarët ukrainas u kundërpërgjigjën duke akuzuar forcat ruse për vendosjen e eksplozivëve në fabrikë në përgatitje për një kundërofensivë të pritshme ukrainase në rajon. Ata, gjithashtu, kanë akuzuar Rusinë se ka nisur sulme nga centrali duke përdorur punëtorët ukrainas atje si mburoja njerëzore dhe duke bombarduar vetë vendin.

Image

Kërcënimi rus

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se granatimet ruse të centralit përbëjnë “shantazh bërthamor”.

Guvernatori i Zaporizhzhias, Oleksandr Starukh, tha se ndërsa reaktorët janë të mbrojtur mirë nga kupolat e tyre të trasha të betonit, është e pamundur të garantohet funksionimi i tyre i sigurt për shkak të pranisë së trupave ruse. Ai vuri në dukje gjithashtu se vendet e magazinimit në termocentralin për karburantin bërthamor të shpenzuar nuk janë aq të mbrojtura sa reaktorët.

Mark Wenman, ekspert bërthamor në Kolegjin Imperial të Londrës, tha se reaktorët e termocentralit janë projektuar “për të mbrojtur kundër fatkeqësive natyrore dhe ose incidenteve të shkaktuara nga njeriu, si përplasjet e avionëve ose aksidentet e reaktorëve”.

“Unë nuk besoj se do të kishte një probabilitet të lartë për një prishje të ndërtesës së kontrollit edhe nëse goditet aksidentalisht nga një predhë shpërthyese, dhe aq më pak gjasa që vetë reaktori të mund të dëmtohet nga një gjë e tillë”, tha ai. Ai shtoi se karburanti i shpenzuar ruhet gjithashtu në “kontejnerë shumë të fortë çeliku dhe betoni që janë krijuar për t'u bërë ballë ndikimeve me energji shumë të lartë”.

Thirrje për monitorim ndërkombëtar

Rafael Mariano Grossi, drejtori i përgjithshëm i mbikëqyrësit bërthamor të Kombeve të Bashkuara, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, i tha “Associated Pressit” javën e kaluar se situata rreth centralit Zaporizhzhia “është plotësisht jashtë kontrollit” dhe ai u bëri një lutje urgjente Rusisë dhe Ukrainës për të lejuar ekspertët të vizitojnë kompleksin për të stabilizuar çështjet dhe për të shmangur një aksident bërthamor.

“Çdo parim i sigurisë bërthamore është shkelur” në termocentral, tha Grossi. “Ajo që është në rrezik është jashtëzakonisht serioze dhe jashtëzakonisht e rëndë dhe e rrezikshme”.

Grossi tha se zinxhiri i furnizimit të pajisjeve dhe pjesëve rezervë është ndërprerë, “kështu që ne nuk jemi të sigurt se centrali po merr gjithçka që i nevojitet”. Ai vuri në dukje se IAEA-ja duhet gjithashtu të kryejë inspektime shumë të rëndësishme për të siguruar që materiali bërthamor është duke u mbrojtur.

Grossi shtoi se ka pasur raste të fërkimit dhe raportimeve të dhunës midis rusëve dhe stafit ukrainas. “Kur e bashkoni këtë, ju keni një katalog të gjërave që nuk duhet të ndodhin kurrë në asnjë objekt bërthamor”, tha Grossi.

Përplasja për inspektimin

IAEA-ja ka kërkuar më kot të dërgojë një ekip inspektimi në fabrikë për muaj të tërë.

Moska ka thënë se mirëpret një vizitë në termocentral nga IAEA-ja, por është e paqartë nëse ajo është e gatshme të ndihmojë në organizimin e një udhëtimi të tillë.

Ukraina kundërshtoi më parë vizitën e Grossit në vend për aq kohë sa mbetet nën kontrollin e Moskës, duke kërkuar tërheqjen e ushtrisë ruse.

Megjithatë, këtë javë, zyrtarët ukrainas dukej se po përgatiteshin për një udhëtim të tillë, me avokatin e popullit të Ukrainës, Dmytro Lubinets, duke i kërkuar OKB-së dhe IAEA-së që të dërgojnë një delegacion për të ndihmuar “çmilitarizimin e plotë të territorit” dhe për të ofruar garanci sigurie për punonjësit e impiantit.

Përktheu: Forca Jashari