Një nënë britanike që abuzoi aq keq me fëmijën e saj saqë iu desh t'ia prenë këmbët, mund të mbahet në burg për më gjatë.
Prindërit Jody Simpson dhe Anthony Smith u dënuan me 10 vjet burgim në vitin 2018 për torturimin e djalit të tyre, Tony Hudgell, i cili tani është shtatë vjeç, shkruan Sky News të enjten, transmeton Koha.net.
Rasti i Tonit çoi në protesta publike dhe thirrje që abuzuesve të fëmijëve t'u lihet jeta pas hekurave.
Simpsoni do të lirohej me leje në gjysmën e dënimit të saj me burg të premten, por Sekretari britanik i Drejtësisë, Dominic Raab e ka referuar çështjen e saj në Bordin e Lirimit me Kusht.
Nëna e re e Tony, Paula Hudgell, tha se ndihej "mbi hënë" me ndryshimin e mundshëm të dënimit të Simpson dhe tha se kjo tregon "se sa shumë Toni ka prekur zemrat e të gjithëve".
“Jam mbi Hënë. Thjesht të bën të vlerësosh ashpërsinë e rastit dhe sa shumë Toni ka prekur zemrat e të gjithëve. Toni vuan çdo ditë dhe dënimi i tyre nuk pasqyron ashpërsinë e krimit”, ka thënë Hudgell.
Ndërkohë sekretari Raab tha se Toni duroi "një fushatë të tmerrshme dhe sistematike abuzimi nga prindërit e tij të lindjes" dhe tha se ai është "i detyruar" të bëjë gjithçka që është e mundur për të parandaluar që një fëmijë tjetër të vuajë nga duart e tyre.
"Kështu që unë e kam referuar rastin e Jody Simpson në Bordin e Lirimit me Kusht, sipas kompetencave të reja të krijuara për t'i mbajtur të burgosurit në burg për më gjatë, pasi lirimi i tyre do të rrezikonte sigurinë publike”, është shprehur ai.
Dënimet më të ashpra për abuzuesit e fëmijëve në Britani të Madhe hynë në fuqi në qershor, që do të thotë se kushdo që shkakton ose lejon vdekjen e një fëmije ose të rrituri të pambrojtur në familjen e tyre, tani mund të dënohet me burgim të përjetshëm - rritur nga maksimumi i mëparshëm prej 14-vjetësh burgim.
Ndryshimet e dënimit njihen si "Ligji i Tonit", pas fushatës nga familja birësuese e të riut.
Toni ishte 41 ditësh kur u sulmua nga prindërit e tij të lindjes, një sulm i cili shkaktoi fraktura të shumta, dislokime dhe lëndime të mëdha në fytyrë, duke çuar në dështim të organeve, goditje toksike dhe sepsë.
Ai mbeti i patrajtuar dhe në agoni për 10 ditë, dhe dëmtimi bëri që të dy këmbët t'i priten.