Botë

Kim Jong-un u sëmur rëndë gjatë krizës së COVID-19, thotë motra e tij

Kim Jong-un i Koresë së Veriut vuajti nga ethet gjatë pandemisë COVID-19, ka thënë motra e tij - në atë që duket të jetë shenja e parë që ai kishte virusin, shkruan BBC.

Kim Yo-jong gjithashtu fajësoi Korenë e Jugut për shpërthimin e COVID-19 në vendin e saj.

Koreja e Jugut i hodhi poshtë pretendimet si të pabaza.

Kim po fliste ndërsa vëllai i saj shpalli fitoren në betejën e vendit kundër COVID-19.

Koreja e Veriut njoftoi rastin e parë me koronavirus në maj dhe që atëherë ka raportuar infeksione me ethe dhe vdekje. Por ka dyshime mbi të dhënat, veçanërisht numrin e ulët të vdekjeve.

Në fjalimin e saj, Yo-jong - e cila është një zyrtare e lartë – paralajmëroi se Koreja e Veriut po konsideronte një kundërpërgjigje të fortë hakmarrëse kundër Koresë së Jugut.

“Edhe pse ishte i sëmurë rëndë me temperaturë të lartë, ai nuk mundi të shtrihej për asnjë moment duke menduar për njerëzit për të cilët duhej të kujdesej deri në fund”, ka thënë ajo.

Koreja e Veriut i referohet me "ethe" dhe jo pacientë me koronavirus për shkak të mungesës së pajisjeve të testimit.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut shpalli fitoren ndaj pandemisë. Urdhëroi të hiqen kufizimet dhe përshëndeti "mrekullinë" e vetëm 74 vdekjeve nga virusi.

Koreja e Veriut nuk ka raportuar asnjë rast të ri të dyshuar që nga 29 korriku - por vëzhguesit ndërkombëtarë thonë se vendi ka testime të kufizuara.

KCNA pretendon se ka pasur 4.8 milionë infeksione që nga fundi i prillit, por vetëm 74 vdekje, që është një shkallë vdekshmërie prej 0.002% - më e ulëta në botë.

Shumë ekspertë e kanë të vështirë t'i besojnë këto statistika. Ata thonë se vendi ka një nga sistemet më të këqija të kujdesit shëndetësor në botë me pak njësi të kujdesit intensiv dhe pa ilaçe apo vaksina për trajtimin e virusit.

Koreja e Veriut nuk ka zbatuar asnjë program vaksinimi gjatë pandemisë, duke u mbështetur në izolime, trajtime në shtëpi dhe atë që Kim e ka quajtur "sistemi socialist i favorshëm i stilit korean".