Botë

Shitoret në Spanjë duhet të mbajnë dyert të mbyllura, të kufizojnë përdorimin e klimës

Zyrat, shitoret e po ashtu vendet tjera të mbyllura nuk do të lejohen më të vendosin sistemin e ftohjes nën 27 gradë Celsius në verë dhe nuk do të lejojnë që të ngrohin vendet mbi 19 gradë Celsius në dimër, sipas masave të reja të vendosura për kursimin e energjisë, raporton agjencia AP. 

Qeveria e Spanjës e ka kaluar një projektligj si pjesë e tentimit për të reduktuar konsumimin e gazit në vend për 7 për qind, sipas marrëveshjeve për energji të arritura në Bashkim Evropian për të reduktuar varësinë nga gazi rus.

Deri më 30 shtator, shitoret do të jenë të obliguara të mbajnë dyert të mbyllura dhe sistemi i nxemjes duhet të kontrollohet më shpesh për të rritur efikasitetin sipas masave të reja.

“Në këto ndërtesa temperatura e nxemjes gjatë dimrit do të jetë në maksimum 19 gradë Celsius dhe në verë do të ftohet maksimalisht deri në 27 gradë. Ne duhet të ndalim dritat e shitoreve e po ashtu ndriçimin e ndërtesave publike kur nuk i përdorim ato”, ka thënë Teresa Ribera, ministre e Tranzicionit Ekologjik të Spanjës.

Në masat përfshihet edhe ndalja e dritave nëpër dritaret e shitoreve pas orës 22:00.

Ndriçimi në rrugë nuk do të preket.

Masat do të mbahen në fuqi deri në nëntor të vitit 2023.