Koreja e Veriut e ka quajtur kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosin, “shkatërruesen më të keqe të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar”, duke e akuzuar për nxitje kundër Koresë dhe zemërimin e Kinës gjatë vizitës së saj.
Pelosi udhëtoi në Korenë e Jugut pasi vizitoi Tajvanin, gjë që nxiti Kinën të nisë stërvitje ushtarake, përfshirë trajnime me raketa në ujëra. Kina e sheh Tajvanin si pjesë të territorit të saj që duhet të aneksohet me forcë nëse është e nevojshme.
Derisa ishte në Korenë e Jugut, Pelosi vizitoi një zonë kufitare me Korenë e Veriut dhe diskutoi për programin bërthamor të kësaj të fundit, raportoi AP.
Të shtunën, Jo Yong Sam, drejtor gjeneral në departamentin e informacionit në Ministrinë e Jashtme të Koresë së Veriut, e kritikoi Pelosin për vizitën në kufi dhe diskutimet me palën jug-koreane mbi Korenë Veriore.
Ai tha se sjellja e Pelosin tregon qartë politikën armiqësore të administratës Biden karshi Koresë së Veriut.
“SHBA-ja do të duhet të paguajë shtrenjtë për të gjitha burimet e telasheve të shkaktuara prej saj kudo që ka shkuar”, tha Jo.