Botë

Në kërkim të të burgosurve nga Rusia

Në fillim të kësaj jave, Gjykata e Lartë e Rusisë e shpalli Regjimentin Azov të Ukrainës një organizatë terroriste, një lëvizje që disa frikësohen se mund të çojë në akuza terroriste kundër disa prej luftëtarëve të kapur që bënë qëndrimin e tyre të fundit brenda fabrikës së çelikut të shkatërruar në Mariupol dhe e bëjnë më të vështirë verifikimin se kush ishte në vendin e shpërthimit

Të afërmit e të burgosurve të luftës të kapur nga rusët pas rënies së Mariupolit u mblodhën në qendër të Kievit të enjten duke kërkuar informacion për bashkëshortët, baballarët dhe djemtë e tyre pas grevës së javës së kaluar në një burg ku strehohen të burgosurit, që thuhet se kanë mbetur të vrarë dhe janë lënduar dhjetëra prej tyre në rajonin separatist të Ukrainës lindore.

Një nga pjesëmarrësit ishte Eugenia Vasylieva, e cila pa për herë të fundit bashkëshortin e tij, Valeriy Vasyliev në Mariupol në natën e 24 shkurtit, ditën e pushtimit rus të Ukrainës. Atë natë ai shkoi për të mbrojtur qytetin e tij. Vajza e saj 7 vjeçare, Zlata Vasylieva, duke mbajtur një pankartë që bënte thirrje për kthimin e babait të saj, tha: "Unë dua që babai im të jetë gjallë dhe të mos vdesë kurrë".

Rusia ka pretenduar se ushtria e Ukrainës ka përdorur raketahedhës të furnizuar nga SHBA-ja për të goditur burgun në Olenivka, vendbanim i kontrolluar nga Republika Popullore e Donetskut e mbështetur nga Moska.

Ushtria ukrainase mohoi të ketë kryer ndonjë sulm me raketa ose artileri në Olenivka. Krahu i inteligjencës i ministrisë së mbrojtjes ukrainase pretendoi në një deklaratë të mërkurën se kishte prova se separatistët vendas të mbështetur nga Kremlini u pajtuan me FSB-në ruse, agjencinë kryesore pasardhëse të KGB-së dhe grupin mercenar Wagner për të minuar kazermën përpara se të “përdornin një substancë të ndezshme, e cila çoi në përhapjen e shpejtë të zjarrit në dhomë”.

Beteja për Olenivkan

Ish-komandanti i Regjimentit, Azov Мakcym Zhorin, i tha AP-së se para shpërthimit ishin rreth 1.500 mbrojtës të Mariupolit në Olenivka. Ata ishin pjesë e 2.400 ushtarëve nga Regjimenti Azov i Gardës Kombëtare të Ukrainës dhe njësive të tjera ushtarake që mbronin Mariupolin, të cilët u dorëzuan me urdhër të ushtrisë së Ukrainës në maj.

“Por kishte 100-150 persona në objektin që u hodh në erë”, tha Zhorin. Ai tha se kushtet në bllokun ku mbaheshin të burgosurit e luftës nuk ishin të përshtatshme për të jetuar. Objekti nuk ndodhej pranë kazermave të tjera, por në periferi të burgut pranë magazinës.

Zyrtarët amerikanë besojnë se Rusia po punon për të fabrikuar prova në lidhje me sulmin. Zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë përcaktuar se Rusia po kërkon të vendosë prova të rreme për të bërë të duket se forcat ukrainase ishin përgjegjëse për sulmin e 29 korrikut në burg, i cili la 53 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të lënduar, tha një zyrtar amerikan i afërt me zbulimin e inteligjencës për “Associated Press” të mërkurën.

Zhorin thotë se Ukraina ka jashtëzakonisht pak kohë për të shkuar në vendin e krimit dhe te dëshmitarët që mund të japin llogari për atë që ka ndodhur realisht. “Ne nuk mund të jemi të sigurt se ata do të jenë gjallë nesër, se rusët nuk do t’i vrasin. Deri më tani, asgjë nuk i pengon ata ta bëjnë këtë”, tha Zhorin.

Pak informacione

Të afërmit e robërve të luftës janë gjithnjë e më të frustruar nga mungesa e informacionit që po marrin për fatin e të dashurve të tyre. Për shkak se Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) veproi si garantues i sigurisë së anëtarëve ushtarakë që u larguan nga Azovstal në maj, ata po kërkojnë nga komiteti t'u japë atyre përgjigje.

“Qëllimi ynë është të arrijmë te Kryqi i Kuq, të themi se nuk po i kryejnë detyrat e tyre. Ne u besuam atyre jetën e djemve tanë. Dhe nuk duhet të jetë kështu që Kryqi i Kuq tani po thotë se ata nuk janë përgjegjës për asgjë", thotë Iryna Yermoshyna, gruaja e një të burgosuri. Ajo thotë se Kryqi i Kuq e ka kontaktuar vetëm një herë që kur burri i saj u kap.

Kateryna Chyzykova, e pa emrin e burrit të saj në listën e ushtarëve të plagosur, të cilën Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e publikoi pas shpërthimit. Ajo thotë se është përpjekur të kontaktojë KNKK-në për të provuar të mësojë për gjendjen e burrit të saj, por deri më tani ka qenë e pasuksesshme.

“Burri im u largua nga Azovstal, duke i besuar Kryqit të Kuq”, tha Chyzykova.

Zhorin, thotë se lista e viktimave e publikuar nga pala ruse është e pasaktë. Ai tha se në mesin e të listuarve si të vdekur ishin emra të njerëzve që vdiqën edhe para shpërthimit në Olenivka.

“Fatkeqësisht, ne tashmë e dimë se ka më shumë robër të vrarë. Ka viktima që kanë vdekur në spital ose rrugës për në spital”, tha Zhorin.

Deri më tani, KNKK-ja nuk ka qenë në gjendje të hyjë në Olenivka dhe te të plagosurit, kështu që ata nuk kanë qenë në gjendje të verifikojnë listën e emrave.

Në fillim të kësaj jave, Gjykata e Lartë e Rusisë e shpalli Regjimentin Azov të Ukrainës një organizatë terroriste, një lëvizje që disa frikësohen se mund të çojë në akuza terroriste kundër disa prej luftëtarëve të kapur që bënë qëndrimin e tyre të fundit brenda fabrikës së çelikut të shkatërruar në Mariupol dhe e bëjnë më të vështirë verifikimin se kush ishte në vendin e shpërthimit.

Regjimenti Azov që ishte vendosur në Mariupol është pjesë e Gardës Kombëtare. Njësi të tjera të Azovit, të cilat ekzistojnë në të gjithë vendin, janë pjesë e Forcave të Armatosura të Ukrainës. Ata janë nën komandën e Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe komandantin e përgjithshëm gjatë luftës.

“Të gjitha këto janë njësi zyrtare që sigurisht nuk mund të njihen veçmas si organizata terroriste. Kjo është pjesë e të gjithë mbrojtjes së Ukrainës”, tha Zhorin.

Procesi gjyqësor

Zhorin beson se Rusia e mori vendimin në mënyrë që ata të mund t’i gjykonin anëtarët e regjimentit Azov. Para vendimit, ata nuk mund të zhvillonin një gjyq kundër luftëtarëve pasi statusi i tyre si robër lufte u jepte atyre mbrojtje sipas Konventave të Gjenevës. Moska e ka portretizuar vazhdimisht Regjimentin Azov si një grup nazist dhe e ka akuzuar atë për mizori, por publikisht ka paraqitur pak prova.

Regjimenti, një njësi brenda Gardës Kombëtare të Ukrainës, ka një të kaluar të çuditshme. Ai u rrit nga një grup i quajtur Batalioni Azov, i formuar në vitin 2014 si një nga shumë brigada vullnetare të krijuara për të luftuar separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore. Batalioni tërhoqi luftëtarët e tij fillestarë nga qarqet e ekstremit të djathtë.

Ndërsa anëtarët aktualë të tij hedhin poshtë akuzat për ekstremizëm, Kremlini ka shfrytëzuar origjinën e krahut të djathtë të regjimentit për të hedhur pushtimin e Rusisë si një betejë kundër ndikimit nazist në Ukrainë.

Ndërkohë, e mbuluar me gjak artificial, Olha ka qëndruar në sheshin e Kievit me një mesazh për të dashurin e saj që ndodhet në robëri. “Dua t'i jap atij gjithë dashurinë time, t'i them se gjithçka do të jetë mirë, se do të luftoj për të deri në fund”.

Përktheu: Forca Jashari