Kryeministri autoritar i Hungarisë, Viktor Orban, është mirëpritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga konservatorët në javën kur është kritikuar fort në Evropë për qëndrimet e tij kundër refugjatëve, raporton agjencia AP.
Ai mori pjesë në një tubim në Dallas, në një prej takimeve më të mëdha të konservatorëve amerikanë, duke nxitur shqetësime se republikanët po përkrahin autokratin evropian të kritikuar për minimin e institucioneve demokratike dhe konsolidimin e pushtetit të tij në Hungari.
Ai është duke realizuar vizitën në SHBA pasi bëri fushatë kundër Evropës, për të cilën ka thënë se është bërë shoqëri me racë të përzier. Para fjalimit në Teksas, shtetin e kontrolluar nga republikanët, Donald Trumpi e ka mirëpritur atë në Florida.
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se presidenti amerikan, Joe Biden, nuk do të takohet me Orbanin që tashmë ka nisur turneun nëpër Amerikë. Autokrati evropian ka refuzuar të gjitha kërkesat e agjencisë së lajmeve “Associated Press” për intervistë. Gjatë fjalimit, Orbani u ka bërë thirrje konservatorëve “që ta mposhtin dominimin e liberalëve progresivë në jetën publike”.