Botë

SHBA-ja sfidon Kinën, Pelosi ateron në Tajvan

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka ateruar në aeroportin e Tajvanit mes tensioneve për vizitën e saj në ishull, shkruan BBC.

Nëse vizita shkon ashtu siç duhet, ajo do të bëhet politikania më e lartë amerikane që do të vizitonte Tajvanin në 25 vjet.

Kryedemokratja amerikane ka shkruar në Twitter me të mbërritur në tokën tajvaneze.

“Vizita e delegacionit tonë nderoi angazhimin e palëkundur të SHBA-së për të mbështetur demokracinë e gjallë të Tajvanit. Solidariteti i SHBA-së me 23 milionë njerëzit e Tajvanit është më i rëndësishëm sot se kurrë. Vizita time në asnjë mënyrë nuk bie në kundërshtim me politikën e gjatë të Shteteve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kundërshtojnë përpjekjet e njëanshme për të ndryshuar status quo-në”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

Vizita e Pelosit në Tajvan ka qenë arsye e rritjes së tensioneve mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ditëve të fundit.

Ministria e Jashtme e Kinës e ka dënuar vizitën e Pelosit në Tajvan duke e cilësuar si “shkelje serioze të parimit Një-Kinë” e që do të ketë “ndikim të rëndë” në marrëdhëniet thelbësore politike Kinë-SHBA.

Në njoftim, kjo ministri e ka cilësuar vizitën e Pelosit si “shkelje serioze të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kinës”.

“Minon paqen dhe sigurinë në ngushticën e Tajvanit dhe çon sinjalin e gabuar për forcat separatiste për ‘pavarësinë e Tajvanit’”, thuhet në reagim.

Kina ka këmbëngulur që Pelosi nuk duhet ta vizitojë Tajvanin pasi do të kishte "ndikim skandaloz në politikë", ndërsa SHBA-ja ka thënë se Kina nuk duhet të përshkallëzojë situatën. 

Tajvani është një ishull i vetëqeverisur, por i pretenduar nga Kina, e cila e sheh atë si një provincë të shkëputur. Pekini ka paralajmëruar për "pasoja të rënda" nëse Pelosi e viziton atë.

Ndërsa SHBA-ja e ruan atë që e quan një "marrëdhënie të fortë, jozyrtare" me Tajvanin, ajo ka marrëdhënie diplomatike zyrtare me Kinën dhe jo me Tajvanin. Mirëpo, për SHBA-në, Tajvani është nga aleatët kryesor në Azi.