India ka konfirmuar vdekjen e saj të parë të shkaktuar nga lija e majmunëve në shtetin jugor të Kerala.
Një 22-vjeçar, i cili së fundmi kishte udhëtuar drejt shtetit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ka vdekur të shtunën, raportoi BBC të hënën.
Ministrja e Shëndetësisë në Kerala, Veena George tha se burri fillimisht kishte rezultuar pozitiv për virusin jashtë vendit. Mostrat e testuara pas vdekjes së tij gjithashtu zbuluan virusin, tha ajo të hënën.
Kjo është vdekja e katërt nga lija e majmunëve e raportuar globalisht, jashtë Afrikës.
Njëzet kontakte të ngushta të burrit janë kategorizuar si "rrezik i lartë" dhe të izoluar, u tha ministrja gazetarëve. Këtu përfshihen miqtë e tij, familja dhe nëntë persona me të cilët ka luajtur futboll kohët e fundit.
Sëmundja shkaktohet nga virusi i lisë së majmunit, një anëtar i së njëjtës familje virusesh si lija, megjithëse është shumë më pak e rëndë dhe ekspertët thonë se shanset për infektim janë të ulëta.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli shpërthimin e lisë së majmunëve një emergjencë globale shëndetësore muajin e kaluar.
Pas vdekjes së burrit në Kerala, qeveria e shtetit formoi një komitet të nivelit të lartë për të shqyrtuar raportet e tij mjekësore.
I riu kishte zhvilluar ethe dhe i ishin fryrë nyjat limfatike kur u shtrua në një spital privat më 27 korrik.