Botë

Bullgaria nuk e shmang krizën

Bullgaria po shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare këtë vjeshtë, pasi tri partitë më të mëdha në Parlament nuk arritën ta gjejnë gjuhën e përbashkët për një Qeveri koalicioni.

Kreu i Partisë Socialiste, Georgi Svilenksi, u ka thënë gazetarëve të mërkurën se përpjekjet për të formuar koalicion të qëndrueshëm kanë dështuar, pasi strategjia e propozuar qeverisëse nuk e kishte miratimin e nevojshëm në Asamblenë Kombëtare.

“Në këtë situatë, nesër do t’ia kthejmë mandatin presidentin të paplotësuar”, ka bërë të ditur Svilenski.

Më parë, dy grupet kryesore në Parlament - partia reformiste, “Ne vazhdojmë ndryshimin” dhe partia e qendrës së djathtë, GERB - nuk arritën t’i japin fund krizës së fundit politike të Bashkimit Evropian dhe anëtarit të NATO-s, mes tensioneve në rritje me Rusinë.

Përmbysja e kabinetit pro-perëndimor të kryeministrit Kiril Petkov, i cili mori detyrën dhjetorin e kaluar duke u zotuar për zero tolerancë ndaj korrupsionit, ka ndihmuar në hapjen e rrugës drejt zgjedhjeve të reja, të cilat analistët presin se do të sjellin një prani më të fortë të grupeve nacionaliste dhe pro-ruse në Parlament.

Muajin e kaluar, Bullgaria ka urdhëruar dëbimin e 70 anëtarëve të personelit diplomatik rus nga Bullgaria, duke i përkeqësuar tensionet midis dy vendeve historikisht të afërta.

Petkov, i cili mori qëndrim të fortë kundër Rusisë pasi ajo e pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, ka pohuar se Moska ka përdorur taktika të “luftës hibride”, për ta rrëzuar Qeverinë e tij.

Në muajin prill, Rusia e ka ndërprerë furnizimin me gaz për Bullgarinë, pasi zyrtarët e refuzuan kërkesën e Moskës për t’i paguar faturat e gazit në rubla, monedhën ruse.

Ministri i Mbrojtjes i Bullgarisë u rrëzua në fillim të marsit, për t’iu referuar luftës së Rusisë si “operacion ushtarak special”, përshkrim i preferuar nga Kremlini.

Një nga qëllimet kryesore të Petkovit ishte ta ndalonte kontrollin pothuajse total të energjisë së Moskës duke diversifikuar burimet e furnizimit.

Në një nga lëvizjet e tij të fundit si kryeministër, Petkov ka diskutuar me ekspertët nga kompania amerikane, Westinghouse, mundësitë për të marrë karburant bërthamor për një nga dy reaktorët e saj të projektuar nga Rusia.

“Jam fort i shqetësuar rreth asaj që po ndodh në Evropë dhe parashikimi im është se lufta në Ukrainë do të vazhdojë për pesë vjet, që është edhe arsyeja pse mbaj shpresë që do ta vazhdojmë rrugën tonë drejt diversifikimit”, ka theksuar Petkov.

Analistët politikë presin që zgjedhjet e reja, që ka të ngjarë të mbahen në tetor, mund ta krijojnë përsëri një Parlament të fragmentuar dhe ta thellojnë ngërçin politik që e ka kapur prej muajsh anëtarin më të varfër të BE-së.

Presidenti i vendit tani duhet ta shpërndajë Parlamentin, ta emërojë një Qeveri të përkohshme dhe ta caktojë datën për votimin e katërt parlamentar të Bullgarisë që nga prilli i vitit 2021.