Ukraina ka akuzuar Moskën për "luftë gazi" kundër Evropës dhe për ndërprerjen e furnizimeve me qëllim që të shkaktojë terror mbi njerëzit.
Firma ruse e energjisë “Gazprom” njoftoi të hënën, se do të reduktojë rrjedhat e gazit për në Gjermani, me arsyetimin për të kryer punime në një turbinë në tubacionin Nord Stream 1, raportoi BBC të martën.
Por presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ky ishte thjesht "shantazh gazi" kundër Evropës.
Gazpromi tha të hënën se duhej të shkurtonte furnizimin me gaz në rreth gjysmën e niveleve aktuale në mënyrë që të kryente punë mirëmbajtjeje - por qeveria gjermane tha se nuk kishte asnjë arsye teknike që ajo të kufizonte furnizimin.
Tubacioni Nord Stream 1, i cili kalon nëpër Detin Baltik për të pompuar gazin nga Rusia në Gjermani, ka funksionuar nën kapacitetin e saj për javë të tëra dhe u mbyll plotësisht për një pushim 10-ditor në fillim të këtij muaji.