Burrat të cilëve lufta për demokraci u kushtoi me jetë në Birmani

“Zeya Thaw e urrente diktaturën ushtarake dhe padrejtësinë që në fillim”, thotë miku i tij dhe bashkëthemeluesi i “Generation Wave”, Min Yan Naing. "Besimi i tij - për t'i dhënë fund diktaturës ushtarake - ishte aq i fortë sa ai ishte gjithmonë i gatshëm për të përballuar çdo rrezik që haste”. "Ata junta duan të terrorizojnë dhe të trembin njerëzit. Por si gjithmonë, Zeya Thaw nuk tha asnjë fjalë para dënimit me vdekje”
Birmania u zgjua të hënën me lajmin se junta ushtarake e vendit kishte ekzekutuar katër aktivistë të demokracisë, duke përfshirë ish-deputetin Phyo Zeya Thaw dhe udhëheqësin veteran të protestës, Ko Jimmy. BBC-ja foli me familjen dhe miqtë e tyre disa javë përpara se të dy burrat të vriteshin.
"Më pëlqen të shikoj yjet. Ai e di shumë mirë. Në atë moment, e dija se qielli ishte mënyra e vetme për ne për të komunikuar", thotë Thazin Nyunt Aung, duke kujtuar natën e 3 qershorit kur zbuloi se ushtria kishte thënë se ekzekutimi i të fejuarit të saj, Phyo Zeya Thaw, do të jetësohej. Ai ishte dënuar në janar.
Ai ishte një nga katër aktivistët - Ko Jimmy, emri i vërtetë i të cilit është Kyaw Min Yu, Hla Myo Aung dhe Aung Thura Zaw - dënimet me vdekje të të cilëve u konfirmuan po atë ditë. Të gjithë u ekzekutuan gjatë fundjavës së kaluar - është e paqartë se kur - përpara se një media shtetërore të raportonte vdekjen e tyre të hënën në mëngjes.
Por javë më parë, Thazin Nyunt Aung, shpresonte për diçka tjetër. “Unë besoj fuqishëm se jemi të lidhur dhe ai do të qëndrojë i fortë”, tha ajo.
Ajo u ngushëllua nga fakti se Birmania nuk kishte ekzekutuar askënd për më shumë se tri dekada - hera e fundit ishte në vitin 1988.
Nga repi në rezistencë
Phyo Zeya Thaw ishte në mesin e më shumë se 120 personave që janë dënuar me vdekje që nga grusht-shteti i përgjakshëm nga ushtria që përmbysi qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Birmanisë në shkurt të vitit të kaluar dhe arrestoi udhëheqësen Aung San Suu Kyi.
Ai u arrestua nëntë muaj më vonë - në nëntor - dhe u akuzua për orkestrimin e një sërë sulmesh kundër juntës.
Thazin Nyunt Aung u largua nga shtëpia e tyre në Yangon dhe u transferua në një shtëpi të vogël të sigurt dhe ka qenë atje që atëherë - ajo thotë se ndaloi së përdoruri Facebook para gjumit, sepse burimi i saj i informimit nuk kishte asgjë tjetër veçse lajme për arrestime të kolegëve protestues dhe mizori nga ushtria.
Kur mori vesh për dënimin e tij me vdekje, sytë iu mbushën me lot dhe trupi i dridhej. Ajo ndjeu ftohtë. Asaj iu kujtua se doli me nxitim nga shtëpia dhe eci pa ndonjë destinacion të caktuar në mendje.
Për ta qetësuar veten, ajo ngriti sytë nga qielli dhe recitoi lutjet budiste për Phyo Zeya Thaw.
"I dërgova dashurinë time dhe u zotova të mos dorëzohem. Nuk do të tërhiqemi fare. Do të luftojmë deri në fund", tha ajo.
Ëndrra të shuara
Phyo Zeya Thaw, 41 vjeç, ishte një ligjvënës nga Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD), e cila qeveriste Birmaninë përpara grushtit të shtetit.
Ai ishte gjithashtu një aleat i ngushtë i udhëheqëses së rrëzuar Aung San Suu Kyi. Ai e shoqëroi pothuajse në të gjitha udhëtimet e saj jashtë shtetit nga 2015 deri në 2020.
Para grushtit të shtetit, ai vendosi të mos kandidojë për zgjedhje sepse donte t'i rikthehej një tjetër pasioni të tij - repit.
"Ai dëshironte të shkruante këngë dhe të performonte përsëri në skenë", tha Thazin Nyunt Aung. "Ne kishim shumë ëndrra si artistë. Të gjithë kanë shumë synime dhe ëndrra, por të gjitha u shkatërruan nga grusht-shtetit. Protestuesit u arrestuan, u vranë dhe u burgosën”.
Ushtria birmane pretendoi se fitorja dërrmuese e LLD-së ishte manipuluar - një akuzë që zyrtarët zgjedhorë e mohuan. Dhe ajo shtypi me dhunë protestat, disa nga më të mëdhatë që ka parë Birmania, duke përfshirë dhjetëra mijëra njerëz.
Phyo Zeya Thaw për herë të parë fitoi famë kombëtare pasi bashkëthemeloi ACID, një nga grupet e para hip-hop në Birmani, në vitin 2000.
Albumi i tyre i parë "SaTin Gyin", që do të thotë fillim, kryesoi listat muzikore për muaj të tërë, duke sfiduar pritshmëritë në një vend që ishte mjaft konservator. Por muzika e ACID-it rezonoi me të rinjtë e frustruar që jetonin nën diktatorin e atëhershëm ushtarak Than Shwe.
Phyo Zeya Thaw dëshironte të bënte më shumë për vendin.
Kështu ai bashkëthemeloi një grup të rinjsh të quajtur "Generation Wave" me tre shokë të shkollës së mesme pas Revolucionit të Shafranit të vitit 2007 - protesta të udhëhequra nga murgjit, të shkaktuara nga rritja e çmimeve të karburantit.
Grupi shpërndau grafite pro demokracisë dhe shpërndau pamflete me mesazhe të ndryshme. Ata u ndaluan me shpejtësi dhe Phyo Zeya Thaw u arrestua në vitin 2008. Por ai u lirua tre vjet më vonë nën amnisti.
Një revolucion i papërfunduar
“Zeya Thaw e urrente diktaturën ushtarake dhe padrejtësinë që në fillim”, thotë miku i tij dhe bashkëthemeluesi i “Generation Wave”, Min Yan Naing. "Besimi i tij - për t'i dhënë fund diktaturës ushtarake - ishte aq i fortë sa ai ishte gjithmonë i gatshëm për të përballuar çdo rrezik që haste”.
"Ata junta duan të terrorizojnë dhe të trembin njerëzit. Por si gjithmonë, Zeya Thaw nuk tha asnjë fjalë para dënimit me vdekje”.
"Edhe pse ai mund të ndiente diçka brenda, ai nuk do t'u tregonte atyre. Ky është Zeya Thaw”.
Kyaw Min Yu - i njohur më mirë si Ko Jimmy - gjithashtu nuk ishte i panjohur për jetën pas hekurave.
53-vjeçari, i cili kaloi më shumë se dy dekada në burg, dikur e quajti atë "shtëpinë e tij të dytë". Ai u arrestua dhe u dënua me 20 vjet punë të rëndë. U arrestua përsëri në tetor të vitit të kaluar dhe u akuzua se ishte një nga organizatorët pas vrasjes së informatorëve ushtarakë dhe sulmeve në termocentrale dhe ndërtesa shtetërore - akuza që gruaja e tij i mohoi.
Ko Jimmy ishte një udhëheqës studentor i kryengritjes së vitit 1988, gjatë së cilës qindra mijëra qytetarë u revoltuan kundër sundimit 26-vjeçar të diktatorit të atëhershëm, Ne Win.
Dashuria që lulëzoi me letra burgu
Por edhe pas hekurave, ai nuk mund të harronte kurrë një vajzë të shkollës së mesme me uniformë bardhë e gjelbër, tha ai për NPR vite më vonë në 2014. Vite më vonë, ajo vajzë u dërgua në të njëjtin burg ku ai vuante për organizimin e protestave. Ko Jimmy filloi t'i shkruante letra Nilar Thein dhe romanca e tyre lulëzoi.
Ai i propozoi asaj, megjithëse nuk mund të martoheshin në burg.
Çifti u lirua në vitin 2004 pasi Ko Jimmy kishte kaluar 15 vjet në burg dhe ajo nëntë. Ata u martuan menjëherë pas.
Në vitin 2007, kur Birmania u përfshi në Revolucionin e Shafranit, çifti filloi sërish të drejtonte protesta.
Vajza e tyre ishte vetëm disamuajshe kur Ko Jimmy u arrestua. Nilar Thein menjëherë u fsheh, duke lëvizur nga shtëpia në shtëpi me të porsalindurin e tyre. Para se edhe ajo të arrestohej, ajo arriti ta linte fëmijën e saj në kujdesin e familjes së saj. Çifti u ribashkua pasi u liruan me amnisti në vitin 2012.
"Gjatë tri dekadave të revolucionit, Jimmy ka përjetuar situatat më të këqija, si brenda dhe jashtë burgjeve. Ne të gjithë duhet t'i kapërcejmë ato situata me shpirt të patrembur", tha Min Zeya, një tjetër udhëheqës i "Brezit 88".
Pas arrestimeve të fundit, shumë kishin shpresuar se junta nuk do t'i ekzekutonte aktivistët, pjesërisht për shkak të presionit ndërkombëtar në rritje.
"Në vitin 1988, shumë njerëz u dënuan me vdekje për kundërshtarë të diktatorëve ushtarakë. Unë madje kalova disa kohë me ata njerëz në burg. Por askush nuk u ekzekutua dhe shumë u liruan më vonë", tha Min Zeya.
Lajmet për ekzekutimet ishin veçanërisht tronditëse, sepse zyrtarët kishin organizuar një takim virtual midis aktivistëve dhe familjeve të tyre të premten - zëdhënësi ushtarak madje mohoi zërat për ekzekutim të afërt, duke thënë se ato nuk do të ndodhnin me nxitim.
Nilar Thein kishte refuzuar të fliste me BBC-në, duke përmendur arsye sigurie. Por ajo ka postuar çdo ditë në Facebook, duke numëruar sa ditë ka kaluar larg bashkëshortit.
Të hënën, pasi u publikua lajmi për ekzekutimet, ajo shkroi: Dashuria ime, të lutem qëndro gjallë, revolucioni ynë duhet të fitojë, ti je në burgun Insein, duke luftuar.
Disa orë më vonë ajo postoi sërish: Derisa të shoh kufomën e Jimmyt... Nuk do të mbaj zi.
Është e paqartë nëse trupat e katër aktivistëve nuk janë djegur ende.
Por Nilar Thein dhe Thazin Nyunt Aung, në arrati nga junta, nuk do të jenë në gjendje të varrosin hirin e të dashurve të tyre.

Bota dënon ekzekutimin e aktivistëve
Bota ka dënuar me zemërim njoftimin e Qeverisë ushtarake të Birmanisë se ka ekzekutuar katër aktivistë pro-demokracisë. Ky është ekzekutimi i parë pas disa dekadash.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Jangon ka thënë se aktivisti i njohur 53-vjeçar, Kyaw Min Yu, dhe ish-deputeti 41-vjeçar, Phyo Zeya Taw, si dhe protestuesit Hla Myo Aung dhe Aung Thura Zar, janë ekzekutuar vetëm pse kanë ushtruar liritë e tyre themelore.
Ata u dënuan sipas ligjit kundër terrorizmit të vendit. Dënimet me vdekje u shpallën më 3 qershor. Dy burrat e tjerë u dënuan për vrasjen e një gruaje që besonin se ishte informatore ushtarake.
“Shthurja e juntës ushtarake birmane nuk ka kufi. Këta janë katër të burgosur politikë, ata ishin nxjerrë para një gjyqi ushtarak që po monitorohej prej të gjithëve”, ka deklaruar Phil Robertson nga “Human Rights Watch”. “Krimet kundër njerëzimit duket qartazi se nuk mjaftojnë për juntën ushtarake birmane; ajo tani po kryen edhe ekzekutim të të burgosurve politikë”.
Vendimi për të kryer ekzekutimet tërhoqi shqetësim dhe protestë të gjerë ndërkombëtare, duke përfshirë një letër nga kryeministri i Kamboxhias, i cili aktualisht është edhe kryetar i Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore dhe po udhëheq përpjekjet e grupit për ta zgjidhur krizën në Birmani. Birmania është përfshirë në atë që disa ekspertë të OKB-së e kanë përshkruar si luftë civile.
“Ushtria ka humbur kontrollin. Më nuk është ushtri e as aksionare politike pushteti. Ata janë kriminelë. Do të ketë më shumë rezistencë. Kjo do të përshkallëzojë revolucionin, përfshirë luftëtarët e gueriljes urbane”, ka deklaruar Thinzar Shunlei Yi, aktiviste e njohur birmane në ekzil. “Do të ketë më shumë luftë mbrojtëse në rajone të ndryshme. Ky veprim do të shërbejë si thirrje për luftë, thirrje për luftë për vetë popullin birman”.
Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Japonisë, e cila për dekada me radhë ka zhvilluar marrëdhënie të ngushta me Birmaninë, por që u acaruan në muajt e fundit, thuhet se ekzekutimi i aktivistëve do ta izolojë edhe më shumë Qeverinë, e cila edhe ashtu po përballet me sanksione nga fuqitë perëndimore prejse ushtria e mori në shkurt të vitit 2021 me grusht-shtet, duke arrestuar edhe lideren Aung San Suu Kyi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.