Ushtria izraelite konfirmoi të mërkurën një nga sekretet e saj më të fshehta dhe që i ruante mirë, duke pranuar publikisht për herë të parë se përdor mjete ajrore pa pilot për të kryer sulme, raportoi AP-ja.
Izraeli është një lider botëror në teknologjinë UAV. Por deri të mërkurën, censura ushtarake ndaloi konfirmimin zyrtar të përdorimit të dronëve sulmues.
Izraeli tha se kishte arritur në përfundimin se pranimi i përdorimit të armëve nuk ishte një rrezik sigurie.
"Nuk ka asnjë ndalim për publikimin e përdorimit të dronëve sulmues si pjesë e aktivitetit operacional të ushtrisë izraelite", thuhet në njoftimin zyrtar.
Izraeli ka përdorur dronë për të sulmuar objektivat në Gaza për më shumë se një dekadë. Ekspertët thonë se armët mund të identifikohen në bazë të shpërthimeve, të cilat janë shumë më të vogla se ato të sulmeve ajrore të kryera nga avionët luftarakë.