Volodymyr Bebkh mbaroi ujitjen e kopshtit në mbrëmje dhe vendosi të lahej në dushin jashtë shtëpisë. Teksa u nis drejt dushit, një raketë ruse fluturoi drejt e në shtëpinë e fqinjit të tij.
“Në vend që të pastrohesha, u mbulova me papastërti”, deklaroi Bebekh, shkruan “Kyivindependent” të shtunën.
71-vjeçari tha se jetën ia shpëtoi pema e manit, që në të ra raketa. Bebekh tha se e kishte në mendje të shkurtonte “shpëtimtaren”, por kjo tash nuk është në planet e tij.
Fshati Novovorontsovka në rajonin juglindor Kherson të Ukrainës ndodhet pikërisht në kufi me rajonin fqinj Dnipropetrovsk. Ai shtrihet rreth 15 kilometra nga territori ukrainas e aktualisht gjendet nën pushtimin rus. Pjesa më e madhe e rajonit Kherson është pushtuar nga Rusia që në fillim të marsit.
Pranë vijës së frontit Novovorontsovka po përballet me granatime të vazhdueshme nga forcat ruse. Derisa trupat ukrainase po lëvizin për të kryer një kundërofensivë, në përpjekje për të çliruar rajonin e Khersonit, udhëheqëja lokale e Novovorontsovkas i ka lënë banorët të përballen vetë. Shpesh pa energji elektrike ose ujë të pijshëm.
Predha kudo
Mykola Mosur, një banor i zonës, tha se u mësua të zgjohej nga tingujt e shpërthimeve, ndonëse një mëngjes ishte më i zhurmshëm se zakonishit.
“Dëgjoj një 'bum'. Ngrita kokën dhe pashë flakë e pluhur gjithandej. Një pjese predhe fluturoi mbi kokën time dhe u ul në mur”, deklaroi 48-vjeçari, duke shtuar se nga predha e mbetur mund të punohet një thikë. Kjo është hera e tretë qëkur një predhë ruse goditi shtëpinë e tij. E para u regjistrua në mars duke shpërthyer pranë oborrit, e dyta në kopshtin e tij dhe e treta hapi një krater në pragun e shtëpisë, në fund të qershorit.
Mosur u përpoq të rregullonte vrimën në çatinë e tij, të shkaktuar nga shpërthimi, por ajo vazhdon të rrjedhë.
Liudmyla Matveeva, një tjetër banore e fshatit, nuk ka fare çati mbi kokë. Një predhë ruse ra pikërisht mbi të. Tulla dhe mbeturina u përplasën mbi divanin ku ajo zakonisht bën një sy gjumë të përditshëm. Gruaja, që qëndroi me vajzën e saj në Nikopol të Dnipropetrovskut në kohën e sulmeve, tash nuk ka ku të kthehet.
“Nuk ka kuptim të përpiqem ta rinovojmë atë. Çatia do të bjerë brenda një jave apo më shumë. Është punuar nga balta, e dini. Do të bjerë dhe kaq do të jetë”, deklaroi ajo për mediumin ukrainas.
Fqinji i saj, Ivan Barylnyk, që po kujdesej për shtëpinë e Matveevas, mbeti në Novovorontsovka, për t'u kujdesur për nënën e tij 92-vjeçare.
Për shkak se nëna ka vështirësi me shikimin, dëgjimin dhe lëvizjen, ajo dhe djali i saj nuk strehohen në bodrumin e tyre për t’i pritur sulmet ruse.
“Çdo tri orë dëgjojmë shpërthime të forta, është e tmerrshme”, rrëfeu Barylnyk. Teksa ai fliste, një grup shpërthimesh u dëgjuan në afërsi.
Një fshat nën zjarr
Vendasit thonë se me rritjen e granatimeve, forcat ruse kanë nisur përdorimin edhe të predhave ndezëse, që ua kanë vënë flakën shtëpive.
Kjo e detyroi banoren Liudmyla Nekhlyda të merrte një vendim të paimagjinueshëm: të ndahej nga fëmijët e saj. Fëmijët i evakuuoi sigurt në Kryvyi, ndërsa së bashku me bashkëshortin ngelën në fshat për t’iu dalë në ndihmë bashkëfshatarëve.
“Ata ishin kaq të guximshëm – nuk kishin aspak frikë. Ata e dinë që sapo të nisin granatimet duhet të vrapojnë në shtëpi dhe të fshihen në një cep”, rrëfeu ajo për fëmijët e saj, duke shpërthyer në lot. “Më vjen keq”.
“Më parë mendonim se mund të fshiheshim pas murit dhe të ishim të sigurt atje, por tani nuk është kështu. Ata (trupat ruse) përdorin armë të tjera, të reja”, vazhdoi Nekhlyda. “Tani gjithçka digjet”.
Nekhlyda punon në një qendër lokale vullnetare që u siguron banorëve sende ushqimore dhe materiale ndërtimi. Burri i saj është po bën riparime elektrike nëpër fshat.
Energjia elektrike ndërpritet dy deri në tri herë në ditë në Novovorontsovka. Ajo është e vështirë të restaurohet pasi elektricistëve u mungojnë pajisjet. Shumica e elektricistëve, duke përfshirë burrin e saj, humbën punën kur filloi lufta e plotë. Ata po vijojnë punën vullnetare.
“Nuk paguhen, por prapë e bëjnë, sepse e kuptojnë që njerëzit nuk mund të jetojnë pa rrymë. Ata janë vetë banorë të këtij fshati, ndaj duan të ndihmojnë në njëfarë mënyre”, tregoi Nekhlyda.
Banorët e Novovorontsovkas, të intervistuar nga mediumi ukrainas, nuk hezitojnë të akuzojnë kreun e lokalitetit Volodymyr Marchuk.
Ai ka shërbyer për vite si udhëheqës i komunitetit Novovorontsovka prej 15.000 banorësh, i cili përbëhet nga dhjetë fshatra. Me përjashtim të Novovorontsovka, Osokorivka dhe Trudoliubivka, shumica e fshatrave janë të pushtuara nga forcat ruse.
Vendasit thonë se Marchuk u zhduk me t’u intensifikuar luftimet.
“Jam 100% i sigurt se ai ka ikur dhe madje ka shkaktuar dëme”, tha Bebekh, derisa sipas Barylnyk, “njerëzit janë të mërzitur që ai është në Kryvyi Rih, ndërsa njerëzit e tij janë këtu”.
Por, lideri tha se u evakuua me kolegët e tij për ta vazhduar punën në mënyrë efektive nga distanca.
Më 21 prill Marchuk u largua me stafin me qëllim që të punohej nga distanca, derisa shtoi se u kap rob nga trupat ruse, e përpjekja për evakuuim të popullatës u ndërpre.
“M'i lidhën duart me shirit dhe më pas ma mbështollën kokën”, deklaroi Marchuk. Ai tha se natën e kaloi në një magazinë ruse, i lodhur, e të nesërmen u lirua. Që atëherë ai nuk e ka vizituar Novovorontsovkan.
Përktheu: Ermir Bujupaj