Botë

Ndikimi i Bidenit, Arabia Saudite hap hapësirën ajrore për Izraelin

Arabia Saudite hapi hapësirën e saj ajrore të premten për të gjithë transportuesit civilë, duke përfshirë të gjitha fluturimet për në dhe nga Izraeli, në një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy kombeve gjatë vizitës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në Lindjen e Mesme, shkruan CNN.

Në një deklaratë të ndarë disa orë përpara se të fluturonte drejtpërdrejt nga Izraeli në Arabinë Saudite, Biden përshëndeti vendimin e mbretërisë, duke thënë se ai mund të "ndihmojë drejt integrimit të mëtejshëm të Izraelit në rajon".

Administrata Biden ka kërkuar prej muajsh të zyrtarizojë marrëveshjet e sigurisë dhe ekonomike midis Arabisë Saudite dhe Izraelit, në një përpjekje për të vendosur terrenin për një marrëveshje normalizimi midis dy vendeve.

Riadi besohet të ketë një marrëdhënie të fshehtë me Izraelin, por ende nuk i ka zbuluar zyrtarisht ato lidhje diplomatike. Në vitin 2020, kryeministri i atëhershëm izraelit Benjamin Netanyahu thuhet se fluturoi në Arabinë Saudite për një takim të fshehtë me liderin de fakto të mbretërisë, princin e Kurorës Mohammed bin Salman - një pretendim që u mohua nga kryediplomati i Riadit.

Normalizimi i mundshëm mes Izraelit dhe Arabisë Saudite është cilësuar si "xhevahiri i kurorës" i marrëveshjeve midis shtetit hebre dhe botës arabe. Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Maroku dhe Sudani normalizuan marrëdhëniet me Izraelin në vitin 2020 si pjesë e një vale marrëveshjesh në fund të mandatit të ish-presidentit Donald Trump.

Vendimi i mbretërisë shënon herën e parë që ajo ka lejuar përdorimin e pakufizuar të hapësirës ajrore nga linjat izraelite për të fluturuar drejt dhe nga vendi. Në vitet e fundit, Arabia Saudite ka lejuar vetëm linjat ajrore izraelite që fluturojnë nga Tel Avivi në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini përmes hapësirës së saj ajrore.

Vendimi rrëzon plotësisht ndalimin prej dekadash të mbifluturimeve izraelite në hapësirën ajrore saudite. Linjat ajrore izraelite që fluturonin drejt rrugëve aziatike si India dhe Kina, më parë duhej të bënin një rrugë të tërthortë rreth Arabisë Saudite që i shtoi orë të tëra udhëtimit.

Pas vendimit të Arabisë, Bideni u zotua të bëjë gjithçka që mundet "përmes diplomacisë së drejtpërdrejtë dhe angazhimit lider me lider, për të vazhduar avancimin e këtij procesi novator".

Kryeministri izraelit Yair Lapid përshëndeti vendimin e Arabisë, duke falënderuar Bidenin dhe i uroi sukses në samitin e tij në Jeddah të shtunën.

Presidenti amerikan do të takohet me mbretin Salman dhe princin e Kurorës të premten në mbrëmje.