Botë

25 milionë fëmijë nuk i morën vaksinat rutinë për shkak të COVID-19

25 milionë fëmijë nuk i morën vaksinat rutinë për shkak të COVID-19

Rreth 25 milionë fëmijë në mbarë botën kanë humbur vaksinat rutinë kundër sëmundjeve të zakonshme si difteria, kryesisht për shkak se pandemia COVID-19 ndërpreu shërbimet e rregullta shëndetësore ose shkaktoi dezinformata rreth vaksinave, sipas Kombeve të Bashkuara, raportoi AP-ja të shtunën.

Në një raport të ri, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNICEF-i thanë se shifrat e tyre tregojnë se 25 milionë fëmijë vitin e kaluar nuk arritën të vaksinohen kundër difterisë, tetanosit dhe kollës së mirë.

“Ky është një alarm i kuq për shëndetin e fëmijëve”, tha Catherine Russell, Drejtore Ekzekutive e UNICEF-it.

"Ne jemi dëshmitarë të rënies më të madhe të vazhdueshme të imunizimit të fëmijëve në një brez", tha ajo, duke shtuar se pasojat do të shihen në jetët e humbura.

Të dhënat treguan se shumica dërrmuese e fëmijëve që nuk arritën të imunizoheshin jetonin në vendet në zhvillim, përkatësisht Etiopi, Indi, Indonezi, Nigeri dhe Filipine. Ndërsa mbulimi i vaksinave ra në çdo rajon të botës, efektet më të këqija u panë në Azinë Lindore.

Shkencëtarët kanë thënë se mbulimi i ulët i shkallës së vaksinimit tashmë ka rezultuar në shpërthime të sëmundjeve si fruthi dhe poliomieliti. Në mars 2020, OBSH-ja dhe partnerët tjerë shëndetësorë i kërkuan shteteve që të suspendojnë përpjekjet kundër poliomielitit në mes të përhapjes së pandemisë me COVID-19. Që nga atëherë ka pasur dhjetëra epidemi të poliomielitit në më shumë se 30 shtete.