Botë

Gjendet një varr masiv në Poloni me mbetjet e 8,000 viktimave të nazistëve

poloni, hi, mbetje, nazist, polak

Një varr masiv me 17.5 tonë hi njeriu është zbuluar në veri të Polonisë, afër ish-kampit nazist të përqendrimit Soldau, raportoi të enjten BBC.

Tomasz Jankowski nga Instituti Kombëtar i Përkujtimit tha se varri përmbante të paktën 8,000 viktima.

Trupat mendohet se janë zhvarrosur dhe janë djegur në një operacion të nazistëve për të fshehur gjurmët e vrasjeve të tyre.

Nazistët vranë hebrenjtë, kundërshtarët politikë dhe anëtarët e elitës polake në Soldau.

Kampi i përqendrimit i ndërtuar në vitin 1929 për internim dhe shfarosje u përdor përgjatë okupimit nazist.

Deri në 30,000 persona mendohet se janë vrarë aty dhe studiuesit shpresojnë se mund të kryejnë analizat e ADN-së nga mbetjet për të gjetur më shumë për viktimat. Në mesin e polakëve të vrarë ishin edhe klerikë e pjesëtarë të inteligjencës.

Arkeologët kanë gjetur qindra gjurmë të veshjeve, pulla dhe gjësende të tjera, por asgjë me vlerë, duke nënkuptuar se trupat ishin grabitur para se të digjeshin.

Jankowski tha se dy gropa u gjetën afër Soldaus dhe gërmime të mëtejmë janë duke ndodhur për të gjetur të tjera.

Rreth gjashtë milionë polakë vdiqën në luftë, përfshirë tre milionë hebrenj.