Botë

Qindra anije me grurë ukrainas të bllokuara në Detin e Zi

Mbi 130 anije mallrash të ngarkuara me grurë ukrainas po presin të bllokuara në Detin e Zi, për të kaluar nëpërmjet Danubit, derisa negociatat mes Moskës, Kievit, Turqisë e OKB-së, po vijojnë në Turqi të mërkurën, raportoi “The Guardian”.

Negociatat në këtë takim katërpalësh po zhvillohen me qëllim që të gjendet zgjidhje për lejimin e eksportimit të grurit ukrainas në Evropë, pasi forcat ruse minuan portet dhe ndaluan lëvizjen.

Anijet e mbushura me grurë po presin që të lëvizin nëpërmjet kanaleve të grykëderdhjes Sulina dhe Bystre, për të mbërritur në portet e Rumanisë, ku pastaj do të lëvizin në tërë Evropën.

Edhe nëse arrihet marrëveshje në takimin katërpalësh, sipas “The Guardian”, transportuesit e mëdhenj nuk do të mund të kalojnë në grykëderdhjen turke, duke ndikuar kështu në kufizimin e sasisë së grurit që do të eksportohet.

Me nisjen e pushtimit rus mbi Ukrainë më 24 shkurt, të gjitha eksportet u kufizuan, ndonëse drithi ukrainas e mban tregun ndërkombëtar.