Botë

Scholzi e quan parti ruse AFD-në, paralajmëron pavarësi energjetike nga Rusia

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e cilësoi të mërkurën partinë Alternativa për Gjermaninë (AFD), subjekt rus, pasi deputeti i kësaj partie, Steffen Kotre, tha se Gjermania duhet ta vë në funksion gazsjellësin rus Nord Stream 2.

Siç raportoi mediumi gjerman “Express.de”, Scholzi tha para deputetëve gjermanë se AFD-ja nuk është vetëm parti populiste e djathtë, “por edhe parti e Rusisë”.

Kotre hodhi akuza ndaj kancelarit Scholz, duke thënë se nuk mund t'i dalë në ndihmë Ukrainës “duke e bllokuar Gjermaninë”.

“Ata (deputetët e AFD v.j.) nuk e kuptojnë se me të vërtetë po ndodh një luftë tani”, deklaroi Scholz.

Ai theksoi se Gjermania po përgatitet që ta ndërtojë infrastrukturën e nevojshme, për të hequr dorë nga nafta dhe gazi rus.

Me nisjen e pushtimit rus në Ukrainë, Scholz ka pezulluar procesin e certifikimit për gazsjellësin e gazit natyror “Nord Stream 2”.

Gazsjellësi nënujor është i kompletuar, por nuk është në funksion.