Botë

Në Maqedoni të Veriut nis dhënia e vaksinës së katërt anti-COVID

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut njoftuan të mërkurën se qytetarët mbi moshën 18 vjeçare, mund ta marrin dozën e katërt të vaksinës anti-COVID.

Sipas njoftimit, doza e katërt mund të merret të paktën katër muaj, pasi është marrë doza e tretë apo ajo përforcuese.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së këtij vendi, vaksinimi rekomandohet të bëhet nga pacientët me sëmundje kronike, me dializë, që kanë kryer transplantime, pacientët onkologjikë, me imunitet të kompromentuar dhe sidomos mbi 60-vjeçarët.

“Vaksinimi është masa më e mirë parandaluese për të mbrojtur kundër një forme më të rëndë të virusit COVID-19. Shteti ka sasi të mjaftueshme të vaksinave, të cilat janë të sigurta dhe efektive dhe ftojmë qytetarët që të imunizohen në pikat e vaksinimit me vaksinë kundër COVID-19, për të fituar imunitet shtesë”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Të martën, Maqedonia e Veriut i regjistroi 293 raste pozitive me koronavirus, nga 1.254 testime të kryera. Që nga fillimi i pandemisë, në Maqedoninë e Veriut nga koronavirusi kanë vdekur 9.327 persona, kanë rezultuar pozitivë 314.794 të tjerë e janë shëruar 304.341 pacientë.