Botë

BE-ja i bën thirrje Maqedonisë së Veriut ta mbështesë propozimin francez

 

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i kërkoi Maqedonisë së Veriut të martën të mbështesë një kompromis të propozuar nga Franca për t'i dhënë fund mosmarrëveshjes me Bullgarinë që po bllokon prej kohësh rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, raportoi AP-ja.

Protesta të dhunshme kanë shpërthyer në Shkup ku demonstruesit u përpoqën të futeshin në ndërtesat qeveritare, pasi presidenti francez Emmanuel Macron lajmëroi propozimin – të cili shumë në shtetin e vogël ballkanik e konsiderojnë të diskutueshëm – javën e kaluar. Macroni tha në samitin e NATO-s në Madrid se “një zgjidhje kompromisi” për ta hequr bllokadën e Bullgarisë ndaj aspiratave për BE të fqinjit të saj është arritur, pa dhënë detaje.