Botë

Turqia zë anijen ruse me drithin “e vjedhur” ukrainas

Një anije me flamur rus që transportonte mijëra tonë drithë po mbahet dhe po hetohet nga autoritetet turke në portin Karasu të Detit të Zi mbi pretendimet se ngarkesa e saj është vjedhur nga Ukraina, raportoi të martën The Guardian.

Zyrtarët doganorë turq vepruan pasi Kievi pretendoi se Zhibek Zholy po transportonte ilegalisht 7,000 tonë drithë nga Berdiansku i pushtuar nga Rusia, një port ukrainas në juglindje të vendit.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, konfirmoi se anija ishte e Rusisë.

Kievi ka akuzuar Rusinë për vjedhjen e grurit nga territori i okupuar ukrainas për t'i shitur në tregjet ndërkombëtare. Eksportet e grurit të vendit janë përgjegjëse për pothuajse 15% të totalit botëror.

Rasti i Zhibek Zholyt ka sjellë në fokus pretendimet për vjedhje dhe e ka vënë qeverinë turke në një pozitë të ndjeshme ndërsa vazhdon të kërkojë një rol ndërmjetësues midis Moskës dhe Kievit për çështjen e furnizimit global me ushqime.