NATO-ja zyrtarisht ka nisur procesin që t’i sjellë Suedinë dhe Finlandën në aleancën e saj ushtarake. Por, një kusht kyç për anëtarin e NATO-s, Turqinë, është dorëzimi i mbi 70 personave të përshkruar nga presidenti i saj si terroristë.
Liderët e dy shteteve nordike thonë se po e marrin çështjen seriozisht, por ekstradimi u takon gjykatave dhe jo politikanëve. Pra, kë e do Turqia dhe a munden ndonjëherë të deportohen ata në Ankara?
Kërkesat e Turqisë
Suedia dhe Finlanda aplikuan për të hyrë në NATO pasi Rusia nisi luftën e saj në Ukrainë. Turqia ishte e vetmja nga 30 shtetet anëtare të NATO-s që bllokoi aplikimin e tyre derisa dy shtetet u pajtuan për disa nga kërkesat – përfshirë dorëzimin e individëve me lidhje të dyshuara terrorizmi, shkroi BBC-ja të martën.
Nën një memorandum të nënshkruar në një samit të NATO-s javën e kaluar, Finlanda dhe Suedia u pajtuan t’i adresojnë “kërkesat në pritje të Turqisë për deportim ose ekstradim të të dyshuarve për terrorizëm”, me “kornizat ligjore dypalëshe për të lehtësuar ekstradimin”.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka thënë se Suedia ka premtuar të ekstradojë 73 “terroristë” dhe tashmë ka dërguar tre apo katër nga ta. Gazeta ditore turke pro-qeveritare “Hurriyet” publikoi listën me 45 persona, përfshirë 33 të kërkuar nga Suedia dhe 12 nga Finlanda.
Të kërkuar nga Turqia
Turqia është veçanërisht e përkushtuar në dorëzimin e individëve që konsideron se kanë lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), i konsideruar si grup terrorist nga BE-ja, SHBA-ja dhe Britania. Është po ashtu pas ndjekësve të klerikut turk në ekzil, Fethullah Gulenit. Gulenistët fajësohen nga Turqia për puçin e dështuar kundër presidentit Erdogan në vitin 2016.
Bulent Kenes: Gazetar
Për vite, ai ka qenë kryeredaktor i “Today’s Zaman”, një gazetë ditore në Turqi, para se të mbyllej më 2016. Tani ai jeton në ekzil në Stokholm.
Autoritetet turke e kanë akuzuar atë se është pjesë e lëvizjes Gulen, ose siç e quajnë: Organizata Terroriste Fethullah (Feto). Është e njohur për rrjetin e shkollave dhe nuk konsiderohet grup terrorist në BE, Britani dhe SHBA.

Kenes tha se ai u bë cak për kritikat e tij të hapura nga presidentit Erdogan dhe përballet me akuza të komplotit për rrëzimin e qeverisë: “Të gjitha akuzat janë të fabrikuara. Jam gazetar i pavarur pa asnjë lidhje me asnjë organizatë”.
Atij i është dhënë burgim me kusht më 2015 për “fyerje të presidentit”, në një postim që thoshte se nëna e Erdoganit do të ishte e turpëruar nga ai.
Fyerja e Erdoganit mbetet një nga akuzat e zakonshme edhe sot, me 17 gazetarë në gjyq në tre muajt e parë të 2022-s, sipas organizatës së pavarur turke “Bianet”.
Bulent Kenes beson se ai është bërë material pazari mes Erdoganit dhe Suedisë në negociatat për NATO-n.
Ai nuk frikësohet për ekstradim, ashtu siç e merr këtë si një “tradhti të Suedisë për vlerat e veta” demokratike dhe mbrojtje të banorëve. “Ky nuk është testim për regjimin e Erdoganit... ky është test për autoritetet suedeze”, tha ai.
Fatih: Zjarrvënësi reformist
Të tjerët në listën e Turqisë janë më pak të njohur. Fatih, kurd-finlandez, ishte pjesë e grupit prej pesë të rinjsh që i vunë flakën derës së Ambasadës turke më 2008.
Tani pronar i një biznesi, ai i tha BBC-së se pendohet për atë që ka bërë: “Në atë kohë, jeta ime ishte rrëmujë, kisha probleme të ndryshme”.
Ai ishte i befasuar kur pa emrin e tij në listë pasi kreu dënimin e suspendimit prej 14 muajsh dhe pagoi për dëmet ndaj ambasadës. Autoritetet finlandeze ia dhanë shtetësinë disa vite më parë dhe e konsideruan rastin e ambasadës të mbyllur, tha ai.

Turqia e akuzon atë të jetë militant i PKK-së, e cila bën thirrje për vetëqeverisje më të madhe kurse dhe është e përfshirë në luftë të armatosur me shtetin turk.
Fatihi ka thënë se nuk ka lidhje me PKK-në, dhe beson se u bë cak për shkak të prapavijës së tij kurde.
Kurdët përbëjnë 15-20% të popullsisë së Turqisë, por janë përballur me persekutim për gjenerata në Turqi. Qeveria në Ankara po përpiqet ta bllokojë partinë pro-kurde HDP, e treta më e madhja në parlament.
Teksa Fatihi nuk beson se do të ekstradohet si shtetas finlandez, ai i frikësohet ngacmimit në komunitetin turk ose ndonjë arrestimi me kërkesën e Turqisë.
Aysen Furhoff: Mësuesja që iku
Aysen Furhoff shkoi në Suedi pasi kreu dënimin me burgim për pesë vjet në Turqi për tentim të “përmbysjes së rendit kushtetues” kur ajo ishte 17 vjeç dhe anëtare e Partisë Komuniste turke. Ajo tha se iu ofrua mbrojtje në Suedi pasi ishte torturuar në burg.
Tani 45 vjeçe, jeton në Stokholm me bashkëshortin dhe vajzën dhe punon si mësuese, si dhe insiston se nuk është më e përfshirë në politikën turke.
“U largova nga Turqia 20 vjet më parë. Nëse dërgohem atje, ata nuk do të kenë përfitim nga unë. Secilin që njoh është ose i vdekur ose në burg. Kjo ishte arsyeja pse të qenit në listë ishte befasuese – kush jam unë për ta?”

Furhoff tha se po paditet në Turqi edhe si anëtare e PKK-së. Ajo pranon bashkëpunimin me të për tre muaj diku 25 vjet më parë.
Derisa, tashmë nuk ka lidhje me PKK-në, ajo mohon se ata janë grup terrorist dhe beson se duhet të jenë pjesë e diskutimeve për një paqe të negociuar në Turqi.
Duke cituar ligjin suedez, ajo nuk brengoset për ekstradim por e gjen të vështirë ta besojë se mund të jetë e rëndësishme për Ankaranë.
Barrierat për ekstradimin
Kërkesat ligjore në Suedi dhe Finlandë e bëjnë të vështirë për Turqinë të ekstradojë numrin që dëshiron:
- Një gjykatë e pavarur e ka fjalën e fundit për ekstradimin – jo politikanët
- As shtetasit e Suedisë dhe as të Finlandës nuk mund të ekstradohen
- Shtetasit e huaj mund të ekstradohen – por vetëm nëse është në linjë me Konventën Evropiane për Ekstradimin
- Nuk lejohet ekstradimi për krime politike ose për shtetet ku personat rrezikojnë persekutimin
- Veprat e supozuara duhet të shihen si krime në Suedi dhe Finlandë
Sipas gazetës suedeze “Dagens Nyheter”, nga 33 emrat suedezë të listuar në median turke, 19 veçse janë refuzuar të ekstradohen nga Gjykata Supreme e Stokholmit.
Finlanda ka ekstraduar dy persona në Turqi nga dhjetëra që Turqia i ka kërkuar përgjatë një dekade. Ministria e Drejtësisë ka thënë se nuk ka pasur kërkesa të reja dhe i ka premtuar komunitetit kurd se nuk do të ketë ndryshim të ligjit.
Reagimi i mundshëm
Nëse kërkesat e Turqisë refuzohen, mund ta tërheqë mbështetjen e saj nga dy shtetet për anëtarësimin në NATO, ka thënë Murat Yesiltas nga instituti pro-qeveritar “Seta”.
Parlamentet në të 30 shtetet e NATO-s duhet t’i aprovojnë Suedinë dhe Finlandën si anëtare dhe aty përfshihen edhe deputetët turq. Yesiltas paralajmëron se ka të bëjë edhe me “dinjitetin e parlamentit turk”.
Komentues të tjerë sugjerojnë se shtytja e Ankarasë për ekstradim mund të jetë strategji e Erdoganit për rizgjedhje, ose mjet që të ndihmojë të sjellë shitjen e armëve amerikane.
Ka pak shans që Suedia apo Finlanda të dorëzojnë dikë nga lista në një të ardhme të afërt.
Përktheu: Emine Shehu