Botë

Zelensky: 60 milionë tonë grurë mund të mbesin pa u eksportuar

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se deri në 60 milionë tonë grurë mund të mbesin të bllokuar në Ukrainë, nëse vendi vazhdon të përballet me bllokadë të eksportit, raporton CNN-i të martën.

“E dini, aktualisht 22 milionë tonë janë bllokuar. Presim që deri në vjeshtë të bëhen 60 milionë tonë. Atëherë do të jemi më të vërtetë në situatë shumë të vështirë. Ne jemi të interesuar për eksport. Duam që fermerët tanë të vazhdojnë të punojë për vitin e ardhshëm”, deklaroi presidenti ukrainas, duke shtuar se puna do të mund të vazhdojë vetëm nëse hapen rrugët për eksport.

Zelensky shtoi se po punon me Kombet e Bashkuara për të hapur një korridor, prej të cilit Ukraina do të mund të eksportonte grurë nga portet e saja në Detin e Zi.

“Nga ana jonë, shteti ukrainas nuk po humb kohë dhe ne po punojmë në rrugë të ndryshme hekurudhore dhe porte lumore për eksport”, shtoi ai.

Ukraina është nder shtetet me më së shumti kultura bujqësore në Evropë. Deri para fillimit të pushtimit rus, ka qenë ndër furnizuesit më të mëdhenj me grurë. Me nisjen e luftës, Rusia bllokoi daljet ukrainase, duke ia pamundësuar eksportin. Po ashtu, sanksionet perëndimore ndaj agresionit rus, bënë që Rusia ta ndalojë eksportin e grurit dhe të drithërave në shtete perëndimore.