Botë

Venediku bëhet qyteti i parë në botë me tarifë për hyrje

Nga 16 janari i vitit 2023, vizitorët në Venediku - që llogaritet si xhevahir në turizmin e Italisë, do të duhet të paguajnë për hyrje në të.

Tashmë është vendosur që Venediku të bëhet qyteti i parë në botë që kërkon një tarifë hyrjeje. Data e nisjes u njoftua nga këshilltari i Venecias për turizmin, Simone Venturini, në një konferencë për shtyp të premten.

Venturini e quajti masën e re një "revolucion të madh" dhe një zgjidhje për problemin e mbiturizmit me të cilin qyteti lagunor ka luftuar për dekada, raportoi CNN të shtunën, transmeton Koha.net. Kostoja e biletës do të variojë nga një minimum prej tre euro deri në 10 euro. Çmimi nuk do të jetë fiks, por do të ndryshojë sipas numrit të vizitorëve: Sa më shumë kërkesa për hyrje, aq më e lartë është kostoja.

Qëllimi, shpjegoi Venturini, nuk është të "mbyllet qyteti”, por të detyrohen njerëzit të rezervojnë praninë e tyre për të reduktuar "majat turistike".

"Venecia është një qytet i gjallë dhe duhet të qëndrojë i tillë”, ka thënë Venturini.

Sistemi kompleks i rezervimit të biletave dhe platforma e tij online do të zbulohen këtë vjeshtë. Ka shumë përjashtime nga mandati i biletave të hyrjes, shpjegoi Michele Zuin, këshilltar për buxhetin.

Banorët dhe fëmijët nën moshën 6 vjeç do të përjashtohen, si dhe personat me aftësi të kufizuara, pronarët e shtëpive, ata që vijnë në qytet për arsye shëndetësore ose për të vizituar të afërmit dhe ata që vijnë për të marrë pjesë në një ngjarje sportive ose kulturore.

Mysafirët e hoteleve do të shmangin gjithashtu pagesën e tarifës së hyrjes, sepse ata tashmë do të paguajnë një taksë turistike përmes hotelit të tyre.

"Nuk është një sistem për të fituar para, por për të menaxhuar flukset turistike. Të ardhurat nga tarifa e hyrjes do të shkojnë për uljen e taksave të venedikasve, të cilat tashmë janë shumë të larta për shkak të volumit të madh të turistëve që duhen akomoduar”, ka shpjeguar Zuin.

Tarifa e hyrjes do të zbatohet për qendrën historike të Venedikut dhe ishujt e mëposhtëm: Lido di Venezia, Pellestrina, Murano, Burano, Torcello, Sant'Erasmo, Mazzorbo, Mazzorbetto, Vignole, S. Andrea, La Certosa, S. Servolo, S. Clemente dhe Poveglia.

Gjobat për shkeljen e tarifave do të variojnë nga 50 euro deri në 300 euro.