Botë

Gjykata e Lartë kufizon fuqinë e Bidenit për të ulur emetimet e gazrave

Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) ka humbur një pjesë të fuqisë së saj për të reduktuar emetimet e gazrave serrë.

Vendimi historik i Gjykatës së Lartë të SHBA-së i marrë të enjten, paraqet një pengesë të madhe për planet e presidentit, Joe Biden, për klimën.

Aktivistët mjedisorë kanë reaguar me ankth, duke e quajtur vendimin "tejkalim gjyqësor", raportoi BBC të enjten.

Çështja kundër EPA-s u ngrit nga Virxhinia Perëndimore në emër të 18 shteteve të tjera kryesisht të udhëhequra nga republikanët, dhe disa prej kompanive më të mëdha të qymyrit në vend.

Këto 19 shtete ishin të shqetësuara se sektorët e tyre të energjisë do të rregulloheshin dhe ata do të detyroheshin të largoheshin nga përdorimi i qymyrit.

Në një vendim me 6 vota për dhe 3 kundër, Gjykata mbajti anën e shteteve konservatore dhe kompanive të karburanteve fosile.

Gjykata nuk e ka penguar plotësisht EPA-n të bëjë këto rregullore në të ardhmen, por thotë se Kongresi e autorizon këtë fuqi. Dhe Kongresi i ka refuzuar më parë programet e propozuara të EPA-s për kufizimin e karbonit.

Grupet mjedisore do të jenë thellësisht të shqetësuara nga rezultati pasi historikisht 19 shtetet kanë bërë pak përparim në reduktimin e emetimeve të tyre - gjë që është e nevojshme për të kufizuar ndryshimet klimatike.

Këto shtete përbënin 44 për qind të emetimeve në SHBA në vitin 2018.

Image