Botë

Rriten kërkimet në “Google” për pilula të abortit pas vendimit për ndalimin e tij në SHBA

Trafiku i kërkimit në internet për ilaçet për abortin është rritur për 162 pwr qind, disa ditë pasi që Gjykata e Lartë e SHBA-së vendosi t’i ndalonte ato.

Studimi, i publikuar në JAMA Internal Medicine të mërkurën, zbuloi se kishte më shumë trafik kërkimi sesa pritej për secilën prej 72 orëve pas vendimit, raportoi CNN të enjten.

Aborti me ilaçe, i njohur gjithashtu si aborti me pilula ose aborti mjekësor, është një metodë për t'i dhënë fund shtatzënisë duke marrë dy pilula, në vend që të kryhet një procedurë kirurgjikale. Një studim i shkurtit nga “Guttmacher”, një institut i të drejtave riprodhuese, zbuloi se rreth 54% e aborteve në SHBA përdorën këtë metodë në vitin 2020.

Studiuesit nga “Bryn Mawr” dhe Universiteti i Kalifornisë, “San Diego”, studiuan tendencat e kërkimit në Google, duke përfshirë fjalët "pilula për abortin" dhe emrat e medikamenteve aktuale të abortit - mifepristone/mifeprex, misoprostol/Cytotec. Ata analizuan tw dhënat nga 1 janari i vitit 2004, kur Google filloi mbledhjen e informacionit, deri më 8 maj të vitit 2022.

Shtetet me ligje shumë kufizuese për abortin panë një rritje më të madhe të kërkimeve. Nebraska kishte trafikun më të lartë kumulativ të kërkimit në 72 orët pas marrjes së vendimit, e ndjekur nga Iowa dhe Missouri.

Studimi nuk mundi të konfirmojë nëse dikush u përpoq të siguronte pilulat ose nëse ata thjesht po përpiqeshin të edukoheshin për pilulat. Studiuesit vunë në dukje se pilulat kërkojnë një recetë dhe përdorimi i tyre është i kufizuar në disa shtete, por "kërkimet në internet mund të pasqyrojnë njerëzit që eksplorojnë sigurinë dhe efektivitetin e këtyre ilaçeve, apo se si t'i marrin ato”.

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara i ka dhënë fund mbrojtjes kushtetuese për abortin më 24 qershor, që ka qenë në fuqi në 50 vjetët e fundit. Supremja ka rrëzuar ligjin e njohur “Roe v. Wade”, duke ua mundësuar shteteve amerikane që të ndalojnë abortet.