Botë

Gruaja e burgosur për 30 vjet për shkak të abortit

Gruaja e burgosur për 30 vjet për shkak të komplikimeve që çuan në abort

Kur Kareni u zgjua në një spital në El Salvador, ajo vërejti se ishte prangosur për shtrati dhe se kishte policë pranë saj.

“Kishte shumë persona përreth dhe ata po thoshin se kisha marrë jetën e foshnjës sime dhe se unë do të paguaja për çfarë kamë bërë”, i tha të enjten BBC-së, Karen.

Asaj i duhej përkujdes urgjent pasi kishte përjetuar komplikime të shtatzënisë. Por, Karen, që në atë kohë ishte 22 vjeç, e gjeti veten të akuzuar për abort.

“U mundova të shpjegoja çfarë kishte ndodhur. Por ata nuk dëgjuan”, kujtoi ajo.

Legjislacion i ashpër

El Salvador, në Amerikën Qendrore, ka disa prej ligjeve më të ashpra në botë kundër abortit, që ndalon të gjitha llojet e ndërprerjes së shtatzënisë edhe nëse shtatzënia paraqet rrezik për jetën e nënës ose është si rezultat i përdhunimit apo incestit.

E akuzuar për vrasje të rëndë, Karen u dënua me 30 vjet burgim. Ajo u bë e njohur si një nga “Las 17”, një grup i grave të burgosura pas humbjes së foshnjave në urgjenca si abortet ose lindjet e hershme.

Karen shpenzoi gjashtë vjet prapa grilave para se të lirohej me tri gra të tjera në dhjetor 2021, pas një fushate që mori mbështetje nga yjet ndërkombëtare.

Në kohën kur u lirua, ajo ishte nënë e një djali 2 vjeç. Ajo nuk do ta shihte atë deri sa t’i mbushte nëntë vjet.

Qendra për Barazinë e Grave ka thënë se janë të paktën 180 gra që janë akuzuar apo burgosur gjatë dy dekadave të fundit nën rrethanat e njëjta.

"Doja ta mbaja djalin tim të vdekur në krahët e mi"

Një nga to ishte Cinthya, e burgosur më 2009 mbi akuzat për vrasje të rëndë pasi foshnja e saj vdiq në shtëpi për shkak të lindjes së hershme. Ajo u lirua më 2019.

Cinthya tha se në vend të autoambulancës, policia ishte përgjigjur. Ajo kishte humbur vetëdijen dhe kur kishte arritur në spital, si Kareni, e kishte gjetur veten në pranga.

Ajo u dërgua direkt nga spitali në burgun e stacionit policor, pa një mundësi që të fliste me familjarët apo ta shihte trupin e fëmijës së vdekur. Ajo ishte 20 vjeç atë kohë.

“Doja ta mbaja djalin tim në krahët e mi, por nuk mu lejua. Ata nuk më dhanë as leje të merrja pjesë në funeralin e tij”, kujtoi ajo.

Ndikim joproporcional

Nuk është e mundur të verifikohet se të gjitha rastet e burgimit ishin ndërprerje e pavullnetshme e shtatzënisë, por aktivistët thonë se ligji aktual rezulton në ndjekjen penale të grave që nuk kërkojnë abort.

Organizatat për të drejtat e njeriut në El Salvador kanë thënë se çështja prek dispropocionalisht gratë që nuk kanë burime ekonomike për kujdesin shëndetësor privat.

Gra si Kareni dhe Cinthya.

“Gratë e varfra në El Salvador janë ato që vuajnë më së shumti me legjislacionin që i stigmatizon ato”, tha Morena Herrera, aktiviste.

Cinthya pretendoi se në kohën e gjykimit të saj nuk iu lejua të fliste në gjyq. Tha se nuk ishte vizituar nga një avokat. Ajo madje nuk i dinte akuzat e sakta kundër saj.

Është një cikël që nuk përfundon kurrë

Gratë që përjetojnë aborte mund të burgosen ende në El Salvador. Si në maj të këtij viti, një grua që i dështoi shtatzënia u dënua me 30 vjet burgim.

“Gratë si unë vazhdojnë të futen në burg. Është një cikël që duket se kurrë nuk përfundon”, tha Cinthya.