Botë

Rrugëtimi i Suedisë dhe Finlandës nga neutraliteti në NATO

Suedia dhe Finlanda po i bashkohen NATO-s – një ndryshim i madh për dy kombet me një histori të gjatë neutraliteti gjatë luftërave dhe jashtë aleancave ushtarake. Gjatë një samiti të NATO-s në Madrid, ato tejkaluan atë që kishte të ngjarë të ishte pengesa kyçe – kundërshtimet e Turqisë.

Rusia fuqishëm kundërshton anëtarësimin e dy shteteve dhe ka përdorur zgjerimin e aleancës ushtarake të Perëndimit si pretekst për luftën në Ukrainë, shkroi BBC-ja të enjten.

Të dyja shtetet nordike kanë mbajtur status neutral për vite, por që nga pushtimi rus i Ukrainës, mbështetja për anëtarësim në NATO është rritur drastikisht.

Pse tani anëtarësim?

Veprimet e Vladimir Putinit kanë lëkundur ndjenjën e gjatë të stabilitetit në Evropën veriore, duke lënë Suedinë dhe Finlandën të ndjehen të pambrojtura.

Ish-kryeministri finlandez, Alexander Stubb, ka thënë se bashkimi në aleancë ishte gjë e kryer për shtetin e tij sapo trupat ruse pushtuan Ukrainën më 24 shkurt.

Për shumë finlandezë, ngjarjet në Ukrainë sjellin një ndjenjë bezdisëse të njohur. Sovjetikët pushtuan Finlandën në vitin 1939. Për më shumë se tre muaj, ushtria finlandeze pati rezistencë të fortë, pavarësisht se ishte në numër të vogël.

Ata shmangën okupimin, por përfunduan me humbjen e 10 për qind të territorit të tyre.

Të shikosh luftën në Ukrainë, ishte si të rijetosh historinë, ka thënë Iro Sarkka, shkencëtare politike në Universitetin e Helsinkit. Finlandezët shikonin kah 1340 kilometrat kufi me Rusinë, tha ajo, dhe mendonin: “A mund të na ndodhë neve kjo?”

Suedia veçse është ndier e rrezikuar në vitet e fundit me disa shkelje të hapësirës ajrore nga avionët ushtarakë rusë.

Çfarë do të ndryshojë?

Në disa mënyra, jo shumë. Suedia dhe Finlanda u bënë partnerë zyrtarë të NATO-s në vitin 1994 dhe që nga atëherë janë bërë kontribuues të mëdhenj për aleancën. Ato kanë marrë pjesë në disa misione të NATO-s që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Dy shtetet për herë të parë kanë garanci për sigurinë nga shtetet bërthamore nën Nenin 5 të NATO-s, që thotë se një sulm mbi një anëtar është sulm mbi të gjithë.

Në vitin 1992, Helsinki bleu 64 aeroplanë luftarakë amerikanë. Tre vjet më vonë, hyri në Bashkimin Evropian, bashkë me Suedinë, dhe secila qeveri finlandeze që nga atëherë ka rishikuar opsionin për NATO. Ushtria, që i shërben një popullsie prej 5.5 milionë banorëve, ka fuqi luftarake prej 180,000 ushtarëve dhe 900,000 rezervistë.

Suedia mori një rrugë tjetër më 1990, duke reduktuar madhësinë e ushtrisë së saj dhe duke ndryshuar prioritetet nga mbrojtja territoriale në misione paqeruajtëse rreth botës. Por, kjo ndryshoi krejt në vitin 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina. Rekrutimi u kthye dhe shpenzimet për mbrojtjen u rritën. Më 2018, secila shtëpi mori pamflete ushtarake me titull “nëse kriza ose lufta vjen” – hera e parë që u dërguan që nga viti 1991.

Cilat janë rreziqet?

Presidenti rus, Vladimir Putin, beson se zgjerimi i NATO-s është kërcënim direkt për sigurinë e shtetit të tij, kështu që anëtarësimi në aleancë i Suedisë dhe Finlandës do të shihet si provokim.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se të dyja shtetet janë paralajmëruar për “pasojat” në rast të një lëvizjeje të tillë. Ish-presidenti Dmitry Medvedev, aleat i afërt i liderit rus, ka paralajmëruar se hyrja në NATO nxit Moskën që të dërgojë armë bërthamore në Kaliningrad, territori rus mes Polonisë dhe Lituanisë.

Duke mos anashkaluar këto kërcënime, Alexander Stubb sugjeroi se një rrezik më real ishin sulmet kibernetike ruse, fushatat dezinformuese dhe shkeljet e shpeshta të hapësirës ajrore.

A do ta bëjë NATO-ja më të sigurt Suedinë dhe Finlandën?

Ka një pakicë të konsiderueshme, të paktën në Suedi, që beson se nuk do ta bëjë.

Një frikë është se me anëtarësim në aleancë, Suedia do të humbë rolin e saj drejtues në përpjekjet globale për çarmatim bërthamor. Shumë skeptikë suedezë për NATO-n shohin prapa në periudhën mes viteve 1960-80, kur Suedia e përdori neutralitetin e saj për ta pozicionuar veten si një ndërmjetësues ndërkombëtar.

Anëtarësimi në NATO do të thotë braktisje e kësaj ëndrre, ka thënë Deborah Solomon nga Shoqata suedeze për Paqe.

Neutraliteti i Finlandës ka qenë shumë më ndryshe. Erdhi si një kusht për paqe i vënë nga Bashkimi Sovjetik në një “marrëveshje miqësie” të 1948-s. Shihej si mënyrë pragmatike e mbijetesës dhe ruajtjes së pavarësisë së vendit.

Nëse neutraliteti i Suedisë ishte çështje e identitetit dhe ideologjisë, në Finlandë është çështje ekzistence, tha Henrik Meinander.

Finlanda braktisi neutralitetin e saj pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Shikoi nga Perëndimi dhe shpresoi ta lironte veten nga influenca sovjetike.

Me çfarë pengesash përballen për shkak të anëtarësimit?

Për javë, aplikimet e Suedisë dhe Finlandës u mbajtën peng nga Turqia. Çdo zgjerim i NATO-s duhet të aprovohet nga 30 shtetet anëtare.

Qeveria turke pretendoi se shtetet nordike po mbështesnin organizata terroriste, përfshirë separatistët kurdë dhe lëvizjen Gulen, të cilin Turqia e fajëson për tentim-puçin e vitin 2016.

Në këmbim të mbështetjes së saj, Turqia ka thënë se donte që Suedia dhe Finlanda të ndalonin të ofronin mbështetje politike, financiare dhe furnizim me armë të këtyre grupeve.

Donte edhe që të vazhdonin shitjen e armëve Turqisë dhe t’ia dorëzonin individët e dyshuar për lidhje me terrorizmin.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Suedia ishte pajtuar të përshpejtonte punën për kërkesat turke të ekstradimit. Dy vendet nordike thanë se do të hiqnin edhe ndalesat për shitjen e armëve Turqisë. Në këmbim, Turqia do të hiqte veton për anëtarësimin e tyre në aleancë.

Përktheu: Emine Shehu