Botë

Shtohen bombardimet në Lysychansk të Ukrainës, mijëra civilë të bllokuar

Bombardimet në qytetin lindor të Ukrainës, Lysychansk, janë shtuar të mërkurën, deklaroi guvernatori rajonal, Serhiy Haidai, duke shtuar se armë të kalibrave të mëdhenj rus po e granatojnë atë.

Siç raporton “The Guardian”, të mërkurën, luftimet po vijojnë në periferi të qytetit, ndërsa mijëra civilë kanë mbetur të bllokuar.

“Luftimet janë në kulm. Frekuenca e bombardimeve është e madhe. Nga 100 mijë banorë sa kishte qyteti, tani kanë mbetur vetëm 15 mijë. Evakuimi i tyre mund të jetë i rrezikshëm aktualisht”, deklaroi Haidai.

Sipas tij, forcat ruse u afruan pranë qytetit me numër të madh automjetesh e ushtarësh. Trupat ruse, që me ngulm po përpiqen ta shtien në dorë Lysychanskun, ditë më parë e pushtuan qytetin fqinj Siervierdonetsk, pas disa javësh luftime e dhjetëra civilësh të vrarë.

Lysychansku është qyteti i fundit i madh në rajonin e Luhanskut, që rusët po e bombardojnë në mënyrë masive.

Të mërkurën u shënua dita e 126-të, qëkur nisi pushtimi rus në Ukrainë.