Botë

Evropa me “Perde të re të Hekurt” ndaj Rusisë

Bideni ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, kishte menduar se anëtarët e NATO-s do të përçaheshin pasi do të pushtonte Ukrainën, por në fakt i doli e kundërta.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të vendosin mijëra ushtarë në Evropë bashkë me aeroplanë, luftanije dhe sisteme mbrojtëse, ka konfirmuar presidenti amerikan Joe Biden, teksa NATO-ja përforcon rripin lindor në Perden e re të Hekurt për të mbrojtur kontinentin nga Rusia.

Duke folur në samitin e NATO-s të mërkurën, Bideni ka konfirmuar formimin e një baze të re për Korpusin e Pestë të Ushtrisë amerikane në Poloni – baza e parë e përhershme e Amerikës në këtë shtet. Kjo bazë do të jetë së bashku me 3 mijë trupa shtesë që do të dërgohen në Rumani dhe për të përforcuar trupat me rotacion për shtetet baltike si Estonia, Letonia dhe Lituania.

Dy skuadrone me aeroplanët F-35 pritet të vendosen në Britani të Madhe, ka konfirmuar Bideni, së bashku me dy sisteme mbrojtëse ajrore për Gjermani dhe Itali. Ndërkaq dy luftanije shkatërruese do të stacionohen në Spanjë, duke çuar në gjashtë numrin e luftanijeve në Evropë.

“Po njoftoj se SHBA-ja do të forcojë pozitën në Evropë dhe do të reagojë ndaj ambientit ndryshues të sigurisë, por do të forcojë sigurinë tonë të përbashkët”, ka thënë Bideni.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili të mërkurën ka thënë se aleanca po përballet me sfidën më të madhe që prej Luftës së Dytë Botërore për shkak të agresionit rus drejt Ukrainës, ka mirëpritur lajmin e Bidenit.

“Kjo demonstron lidershipin tuaj vendimtar dhe fuqinë e lidhjes transatlantike”, ka thënë Stoltenbergu, duke falënderuar Bidenin për “përkrahjen e madhe të tij dhe të SHBA-së për Ukrainën”.

Prezenca më e fuqishme amerikane në Evropë ka marrë hov nga angazhimet shtesë të aleatëve të NATO-s. Numri i forcave amerikane ende është më pak që nga periudha e Luftës së Ftohtë kur gati 300 mijë ushtarë amerikanë ishin pozicionuar nëpër Evropë.

Ndërkaq, pas marrëveshjes me Turqinë, Finlandës dhe Suedisë i është liruar rruga për anëtarësim në aleancën ushtarake.

Komanda e përhershme

Bideni ka thënë se SHBA-ja do të vendosë komandë të përhershme në Poloni. Kjo lëvizje, sipas tij, do të forcojnë ndërveprimet SHBA-NATO në krejt krahun lindor të aleancës ushtarake. Vendimi shënon bazën e parë të përhershme amerikane në skajin më lindor të NATO-s.

Celeste Wallander, ndihmëssekretari mbrojtjes amerikane për çështjet ndërkombëtare, ka thënë se prania e përhershme në Poloni, do të jetë çelësi për të ndihmuar NATO-në të kontrollojë mjedisin e ndryshuar të sigurisë në Evropë, i nxitur nga pushtimi rus i Ukrainës. SHBA-ja përbën pjesën më të madhe ushtarake të NATO-s.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se baza e përhershme do të aplikohet vetëm për njësitë e shtabit dhe jo për trupat luftarake. Kjo është bërë në përputhje me marrëveshjen e vitit 1997 mes NATO-s dhe Rusisë. Me këtë marrëveshje, trupat luftarake nuk mund të angazhohen në Evropën Lindore me qëllim që të ketë marrëdhënie më të mira në ambientin pas Luftës së Ftohtë.

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, i pranishëm në Madrid, ka thënë se prezenca e përhershme amerikane është “vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm” dhe se “është vendim të cilin kemi qenë duke e pritur”.

“Nuk ka asnjë komunikim me Moskën për këto ndryshime dhe as nuk ka pasur kërkesë për këtë”, ka thënë John Kirby, zëdhënës për Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Bidenit.

Presidenti amerikan ka parashikuar se takimet e kësaj jave do të ishin samit historik pasi liderët do të miratonin kornizën e re strategjike, të shpallnin një sërë hapash për të ngritur shpenzimet në kapacitetet mbrojtëse dhe të mundësonin anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.

Bideni ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin kishte menduar se anëtarët e NATO-s do të përçaheshin pasi do të pushtonte Ukrainën, por në fakt i doli e kundërta.

“Putini po mendonte për Finlandizimin e Evropës. Do ta kesh NATO-izimin e Evropës. Fiks këtë nuk e donte, por fiks ndodhi ajo që duhej për të garantuar sigurinë e Evropës”, ka thënë Bideni.

Turqia, vendi i fundit që nuk kishte miratuar kërkesën e shteteve të veriut për anëtarësim në NATO, arriti marrëveshjen të martën, duke mbështetur anëtarësimin e tyre.

Ani pse Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se SHBA-ja nuk ishte e përfshirë direkt në bisedime, një zyrtar i administratës ka thënë se Bideni ka folur me presidentin turk Recep Tayyip Edrogan për ta inkurajuar që t’u hapte rrugë Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim. Të dy liderët janë takuar të mërkurën pasdite për të diskutuar çështje të tjera.

Kërkesat e Zelenskyyt

Presidenti i Ukrainës, qortoi NATO-n që nuk e mbështeti më plotësisht vendin e tij luftarak dhe kërkoi më shumë armë për të luftuar pushtimin e Rusisë, derisa liderët e aleancës u takuan në mes asaj, që shefi i saj e quajti, krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore.

Pushtimi i Rusisë ndaj fqinjit të saj shkatërroi paqen e Evropës, e shtyu NATO-n të shtojë trupa dhe armë në Evropën Lindore, në një shkallë të paparë që nga Lufta e Ftohtë, dhe do t'i japë organizatës së mbrojtjes dy anëtarë të rinj në Suedi dhe Finlandë.

Anëtarët e aleancës kanë dërguar gjithashtu miliarda ndihma ushtarake dhe civile në Ukrainë. Por presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, u ankua se politika e dyerve të hapura të NATO-s për anëtarët e rinj nuk zbatohej për Ukrainën.

“Politika e dyerve të hapura të NATO-s nuk duhet t'u ngjajë rrotullave të vjetra në metronë e Kievit, të cilat qëndrojnë të hapura, por mbyllen kur i afroheni derisa paguani”, tha Zelenskyy përmes video-lidhjes. “A nuk ka paguar mjaftueshëm Ukraina? A nuk ka qenë i mjaftueshëm kontributi ynë për të mbrojtur Evropën dhe të gjithë qytetërimin?”

Ai kërkoi më shumë sisteme artilerie moderne dhe armë të tjera dhe paralajmëroi liderët se ose duhet t'i siguronin Ukrainës ndihmën e nevojshme për të mposhtur Rusinë ose "të përballeshin me një luftë të vonuar midis Rusisë dhe jush".

Por tensionet midis aleatëve të NATO-s janë shfaqur gjithashtu pasi kostoja e energjisë dhe mallrave të tjera thelbësore është rritur, pjesërisht për shkak të luftës dhe sanksioneve të ashpra perëndimore ndaj Rusisë. Ekzistojnë gjithashtu tensione se si do të përfundojë lufta dhe çfarë lëshimesh, nëse ka, duhet të bëjë Ukraina për të ndaluar luftimet.