Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, i ka bërë thirrje shteteve perëndimore që të ofrojnë çfarëdo ndihme që të duhet për ta ndaluar luftën në Ukrainë, raporton agjencia AP.
Klitschko para Samitit të NATO-s në Madrid, u ka thënë gazetarëve se fuqitë perëndimore duhet të zgjohen.
“Zgjohuni djem. Kjo po ndodh tash. Do të jetë radha e juaj, do të trokasë në dyert tuaja sa hap e mbyll sytë”, tha ish-kampioni i botës në boks.
Klitschko dhe vëllai i tij Wladimir Klitschko po e vizitojnë Madridin për të marrë pjesë në një forum të mbrojtjes para Samitit dyditor të NATO-s.
Vitali Klitschko është pyetur edhe për planin që të zgjerohen forcat e reagimit të shpejt në krahun lindor të NATO-s nga 40 mijë në 300 mijë trupa. Kjo lëvizje është bërë e ditur të hënën nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Çfarëdo që të duhet: 300 mijë, 1 milion, 1 miliard trupa. Është me rëndësi të ndalet lufta dhe të ndalet ushtria e Putinit në Ukrainë. Nëse Ukraina dështon, do ta keni ju radhën. Do të jetë radha e Moldavisë. Kriza e ushqimit? Është vetëm fillimi. Kriza ekonomike. Nëse nuk do të ndalet tash, të gjithë ne do të prekemi”, ka shtuar Klitschko.
Klitschko ka refuzuar idenë se Ukraina duhet të bëjë një sakrificë territoriale për t’i dhënë fund luftës.