46 persona u gjetën të vdekur brenda dhe afër një kamioni, kurse 16 të tjerë janë dërguar në spital shkaku i vështirësive në frymëmarrje. Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se me kamion po bëhej trafikim me njerëz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Tragjedia në San Antonio është një prej tragjedive më të rënda në historinë e refugjatëve që kanë tentuar të hynin në SHBA nga Meksika në dekadat e fundit. Për herë të fundit, dhjetë emigrantë vdiqën në vitin 2017 kur u bllokuan brenda kamionit të parkuar afër një qendre tregtare në San Antionio. Ndërkaq, në vitin 2003, 19 të tjerë u gjetën të vdekur në kamionin pa ajër po ashtu në San Antonio.
Jugu i Teksasit prej kohësh ka qenë zona më e ngarkuar për kalime të jashtëligjshme të emigrantëve nga Meksika. Nga San Antonio emigrantët shpërndahen nëpër gjithë SHBA-në. Policia ka bërë të ditur se të hënën është kërkuar ndihmë nga një thirrje telefonike. Policia fillimisht ka gjetur një trup afër kamionit dhe derën e hapur pjesërisht.
Udhëheqësit e qytetit të San Antonios kanë thënë se 46 personat ishin me familje që po përpiqeshin të gjenin jetë më të mirë në Amerikë. Tre persona janë arrestuar, mirëpo është e paqartë nëse kanë lidhje me trafikimin e njerëzve.