Botë

Zbulohet biseda mes Macronit e Putinit, e bërë katër ditë para luftës [Biseda]

Vetëm katër ditë para nisjes së luftës në Ukrainë, presidenti rus Vladimir Putin, dukshëm i disponuar i tha presidentit francez Emmanuel Macron, se ai me më shumë qejf do të luante hokej mbi akull se sa të mbante një takim me Joe Biden për të diskutuar situatën në Ukrainë dhe ndoshta për të parandaluar luftën, shkruan gazeta britanike “Telegraph”.

Këto fjalë të presidentit rus mund të dëgjohen në fund të një bisede të tensionuar 9-minutëshe me Macronin, e cila do të shfaqet në një dokumentar në kanalin televiziv shtetëror “France 2”, të enjten.

Sipas emisionit “C A Vous” i transmetuar nga “France 5” të hënën, që shfaqi regjistrimet e para të bisedës, dokumentari do të transmetojë edhe bisedën mes Macronit dhe kryeministrit britanik Boris Johnson, që u zhvillua dy ditë para pushtimit.

Në të, Johnson shpreh rezervat e tij për përpjekjet e Macronit për të dialoguar me autokratin rus, duke thënë: “Sa herë që flasim me Vladimir Putinin, kam përshtypjen se ai është më agresiv, ndërsa ne tingëllojmë më të dobët”.

I përballur me akuzat se është shumë i butë me Putinin, me të cilin foli dhjetëra herë para dhe pas pushtimit, Macroni me sa duket vendosi se mënyra më e mirë për të treguar një pamje tjetër ishte të ftojë grupin e xhirimit në zyrën e tij.

Ky dokumentar do t'u ofrojë shikuesve biseda të paprecedentë të liderëve botërorë për luftën në Ukrainë dhe kjo do të jetë hera e parë që gazetarëve u jepet qasje në “Jupiter”, bunkerin bërthamor të poshtë Pallatit Elysee.

Bisedë mes Putinit dhe Macronit

“Vladimir, për fillim…”, dëgjohet Macron në fillim të bisedës më 20 shkurt.

Por Putini nuk donte ta dëgjonte. “Dëgjo Emmanuel…” e ndërpreu lideri rus.

Të dy shtetarët përdorën një formë informale komunikimi, si në takimet e mëparshme.

“Do të doja që së pari të më tregoni pikëpamjen tuaj për situatën dhe ndoshta sinqerisht, siç jemi mësuar gjithmonë, të më tregoni se cilat janë qëllimet tuaja”, u përpoq Macron të krijonte një atmosferë besimi. "Çfarë mund të them? Shihni vetë se çfarë po ndodh", u përgjigj Putin, duke akuzuar Ukrainën për shkeljen e marrëveshjes së Minskut për rajonin lindor Donbas.

Putin më pas dënoi presidentin properëndimor të Ukrainës, Vladimir Zelensky, duke akuzuar Kievin për blerjen e armëve bërthamore. “Është marrëzi”, u dëgjua zëri i këshilltarit diplomatik të Macronit, Emmanuel Bon.

"Për më tepër, kolegu ynë i dashur, zoti Zelensky, nuk po bën asgjë për të zbatuar marrëveshjen e Minskut. Ai po ju gënjen", tha Putin, duke shtuar se propozimet e separatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore duhet të merren parasysh.

"Por ne nuk jemi të interesuar për propozimet separatiste. Nuk e di nëse këshilltari juaj ligjor e njeh ligjin! Për sa më përket mua, unë thjesht po shikoj ligjet dhe po përpiqem t'i zbatoj ato. Nuk e di cili këshilltar ligjor mund t'ju thotë se në një vend sovran tekstet ligjore propozohen nga separatistët, autoritete jo të zgjedhura në mënyrë demokratike", tha Macron.

"Nuk është një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike. Ata fituan pushtetin përmes një grushti të përgjakshëm. Njerëzit u dogjën të gjallë. Pati gjakderdhje. Dhe Zelensky është një nga fajtorët për këtë", u përgjigj Putin, duke iu referuar protestave në sheshin Maidan, në fund të vitit 2013 dhe në fillim të vitit 2014, kur u rrëzua qeveria proruse e Ukrainës.

Pavarësisht tensioneve, Macron vazhdoi të përpiqej të luante rolin e ndërmjetësit, duke thënë se do të inkurajonte Zelenskyn “të ulte tensionet" jo vetëm midis forcave të armatosura të Ukrainës, por edhe në rrjetet sociale.

“Mos bini pre e provokimeve të asnjë lloji në orët dhe ditët në vijim”, paralajmëroi Macron.

Telefonata përfundoi me propozimin e Macronit që të bisedojë menjëherë me Joe Bidenin, presidentin amerikan.

Dhe Putini e shtangu homologun e tij me përgjigjen.

"Të jem plotësisht i sinqertë, tani do të luaj hokej mbi akull. Po flas me ju nga palestra. Më duhet të konsultohem me këshilltarët e mi", tha Putin.

“Gjithsesi, faleminderit Vladimir. Qëndroni në kontakt. Nëse ndodh diçka, më telefononi”, tha Macron.

“Faleminderit zoti President”, tha Putin në frëngjisht.

Macroni foli sërish me Putinin një ditë më vonë, më 21 shkurt. Por më 24 shkurt, Rusia nisi pushtimin e ukrainës. Atë natë, grupi i xhirimit rifitoi qasjen në bisedën e parë të Macronit me Zelenskyt, pasi raketat e para ruse ranë në Kiev.

"Ata janë në Kiev. Forcat ruse po luftojnë në Kiev", tha presidenti ukrainas.

“Ata sollën forca speciale dhe helikopterë apo…?”, pyeti Macron i shqetësuar.

“Po, aeroplanë dhe helikopterë, gjithçka... E shohim përmes mediave, i shohim kudo, ka shumë të tillë”, u përgjigj kolegu i tij ukrainas. “A e dini se sa civilë janë vrarë tashmë?”, pyet Macroni. “Nuk e di, mijëra…”, përgjigjet Zelensky.

“Po ti, a je i sigurt?”, pyeti Macron.

Komunikimi midis Macronit dhe Putini shpejt u hollua dhe presidenti francez e gjeti veten në një valë kritikash sepse ai udhëtoi në Kiev vetëm javën e kaluar për t'u takuar me Zelenskyn.

"Ne nuk arritëm ta bindnim Putinin. Mendova se përmes besimit dhe diskutimit intelektual mund të gjenim një zgjidhje të përbashkët", tha Macron disa ditë më parë në Kiev.

I pyetur nëse mendon se Putini ishte një njeri i rrezikshëm, presidenti francez u përgjigj në mënyrë enigmatike: "Unë nuk do t'ju them kurrë mendimin tim".