Sievierodonetsku dhe Lysychansku kanë qenë pikat qendrore të ofensivës ruse që synonte pushtimin e të gjithë rajonit të Donbasit në Ukrainën lindore dhe shkatërrimin e ushtrisë ukrainase që e mbron atë.
Forcat ruse kanë bllokuar një qytet në Ukrainën lindore, tha të shtunën guvernatori i rajonit, pasi sulmi i tyre i pamëshirshëm në qytet detyroi trupat ukrainase të fillonin tërheqjen pas disa javësh luftime intensive. Rusia, gjithashtu, nisi sulme me raketa në zona larg nga qendra e betejave lindore.
Serhiy Haidai, guvernatori i rajonit të Luhanskut, tha në Facebook se forcat ruse po përpiqen ta bllokojnë qytetin e Lysychanskut nga jugu. Qyteti shtrihet pranë Sievierodonetskut, i cili ka duruar sulme të pamëshirshme dhe luftime shtëpi më shtëpi për javë të tëra.
Pasi Haidai tha të premten se forcat ukrainase kishin filluar të tërhiqeshin nga Sievierodonetsku, analisti ushtarak, Oleg Zhdanov, tha se disa nga trupat po shkonin për në Lysychansk. Por lëvizjet ruse për të ndërprerë Lysychanskun do t'u japin pak kohë atyre trupave që të tërhiqen.
Bombardimet ruse e kanë bërë pjesën më të madhe të Sievierodonetskut të rrënohet dhe e kanë ulur numrin e popullsisë së saj, nga 100 mijë në 10 mijë. Disa trupa ukrainase janë strehuar në fabrikën e madhe kimike të azotit afër qytetit, së bashku me rreth 500 civilë.
Sievierodonetsku dhe Lysychansku kanë qenë pikat qendrore të ofensivës ruse që synonte pushtimin e të gjithë rajonit të Donbasit në Ukrainën lindore dhe shkatërrimin e ushtrisë ukrainase që e mbron atë. Dy qytetet dhe zonat përreth janë xhepat e fundit kryesorë të rezistencës ukrainase në rajonin e Luhanskut, 95% e të cilit është nën kontrollin e forcave separatiste ruse dhe lokale. Rusët dhe separatistët kontrollojnë gjithashtu rreth gjysmën e rajonit të Donetskut, provinca e dytë në Donbas.
Rreth 1000 kilometra në perëndim, katër raketa ruse goditën një “objekt ushtarak” në Yaroviv, tha guvernatori rajonal i Lvivit, Maksym Kozytskyy. Ai nuk dha detaje të mëtejshme për objektivin, por Yaroviv ka një bazë të konsiderueshme ushtarake që përdoret për trajnimin e luftëtarëve, duke përfshirë të huajt që kanë dalë vullnetarë për të luftuar për Ukrainën. Ajo bazë u godit nga raketat ruse në mars, duke vrarë 35 njerëz.
Rajoni i Lvivit, edhe pse larg vijës së frontit, është goditur nga raketa të tjera gjatë luftës, duke shkatërruar zonat e depozitimit të karburantit.
Rreth 30 raketa ruse u hodhën në rajonin Zhytomyr në Ukrainën qendrore të shtunën në mëngjes, duke vrarë një ushtar ukrainas, tha guvernatori rajonal, Vitaliy Buchenko.
Në veri, rreth 20 raketa u hodhën nga Bjellorusia në rajonin Chernihiv, tha ushtria ukrainase.
Një zyrtar i lartë i Mbrojtjes i SHBA-së, duke folur në Washington në kushte anonimiteti, të premten e quajti lëvizjen e ukrainasve nga Sievierodonetsk një "retrogradë taktike" për të konsoliduar forcat në pozicione ku ata mund të mbrohen më mirë. Kjo do t’i shtojë përpjekjet e Ukrainës për t’i mbajtur forcat ruse të ngujuara më gjatë në një zonë të vogël, tha zyrtari.
Pas një përpjekjeje të dështuar për të kapur Kievin, kryeqytetin e Ukrainës, në fazën e hershme të pushtimit që filloi më 24 shkurt, forcat ruse e kanë zhvendosur fokusin e tyre në Donbas, ku forcat ukrainase kanë luftuar me separatistët e mbështetur nga Moska që nga viti 2014.
Pas kërkesave të përsëritura të Ukrainës drejtuar aleatëve të saj perëndimorë për armatim më të rëndë për t'iu kundërvënë fuqisë së zjarrit të Rusisë, kanë mbërritur katër raketahedhës amerikanë me rreze të mesme veprimi, me katër të tjerë rrugës.
Përktheu: Forca Jashari