Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka quajtur fitore vendimin e Këshillit Evropian për t'i dhënë Ukrainës statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkim Evropian, raportoi CNN-i të enjten.
“Sapo kemi marrë kandidaturën. Kjo është një fitore që e prisnim 120 ditë e 30 vjet. Pas kësaj do ta mposhtim armikun dhe do të pushojmë pak. Ose ndoshta do ta rindërtojmë Ukrainën në fillim dhe më pas do të pushojmë”, ka deklaruar Zelensky.
Ukrainës dhe Moldavisë u është pranuar statusi i vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë Samitit të BE-së që po zhvillohet në Bruksel.
Ukraina aplikoi për statusin e vendit kandidat në BE disa ditë pasi nisi pushtimi rus në shkurt dhe që atëherë procesi ka ecur me shpejtësi të madhe.
Por mund të duhen shumë vite për t'u bashkuar dhe nuk ka asnjë garanci për sukses.
Ndërkaq sa i përket Gjeorgjisë, Këshilli Evropian ka vendosur “të njohë perspektivën evropiane të Gjeorgjisë dhe është gati të japë statusin e kandidatit pasi të adresohen prioritetet e pazgjidhura”, tha Charles Michel, kryetar i Komisionit Evropian.