Botë

“Nike” largohet plotësisht nga Rusia

“Nike” po bën tërheqjen e plotë nga Rusia pas tre muajsh që kur pezulloi operacionet atje, ka njoftuar të enjten kjo kompani, shkruan Reuters.

Kompania amerikane, e cila në fillim të marsit njoftoi për pezullimin e përkohshëm të operacioneve në dyqanet e saj Rusi, si përgjigje ndaj sulmit rus në Ukrainë, të enjten iu bashkua markave tjera perëndimore të mëdha, si McDonald’s dhe Renault, duke konfirmuar se do të largohet plotësisht nga vendi.

"Nike ka marrë vendimin për t'u larguar nga tregu rus. Prioriteti ynë është të sigurojmë se po mbështesim plotësisht punonjësit tanë, ndërkohë që reduktojmë me përgjegjësi operacionet tona gjatë muajve të ardhshëm”, ka thënë kompania në një deklaratë.

Edhe prodhuesit e tjerë të veshjeve sportive janë tërhequr nga tregu në këtë vend. Rivali i “Nike”, “Adidas”, ka thënë që në muajin mars se po mbyllte dyqanet në Rusi dhe se po i ndalonte edhe shitjet në internet.

“Puma” gjithashtu pezulloi operacionet e saj atë muaj. ”Reebok” pezulloi shitjet në mars dhe është në bisedime për të shitur më shumë se 100 dyqane te shitësi turk i këpucëve “FLO Magazacilik”.