2 perditesime
14:37

Shkon në mbi 1000 numri i të vdekurve nga tërmeti në Afganistan

Mbi 1000 persona kanë vdekur si pasojë e tërmetit që goditi Afganistanin në orët e hershme të së mërkurës, ndërsa janë lënduar afro 1500 persona, ka njoftuar një zyrtar i talebanëve për BBC-në.

Lideri i talebanëve Hibatullah Akhundzada ka thënë se qindra shtëpi janë shkatërruar dhe numri i të vdekurve pritet të rritet edhe më tepër.

Kreu për informim i provincën Paktika, Mohammad Amin Hazifi, ka thënë se mbi 1000 persona kanë vdekur dhe numri i të lënduarve ka shkuar në 1500.

Është tërmeti më shkatërrimtar që ka goditur Afganistanin në dy dekadat e fundit.

Tërmeti ka goditur 44 kilometra në juglindje të qytetit Khost rreth orës 1:30.

“Në çdo rrugë që shkon, dëgjon njerëzit duke mbajtur zi për të dashurit e tyre. Shtëpitë janë shkatërruar”, ka thënë një gazetar i provincës Paktika.

11:43

Shkon në mbi 900 numri i të vdekurve nga tërmeti në Afganistan

Së paku 920 persona kanë vdekur e qindra janë lënduar në Afganistan, si pasojë e një tërmeti që ka goditur Afganistanin në orët e hershme të së mërkurës, kanë njoftuar zyrtarët talebanë, raporton BBC.

Në foto është shfaqur rrëshqitja e dheut dhe shtëpitë e shkatërruara në provincën Paktika, ndërsa forcat e kërkim-shpëtimit po tentojnë të gjejnë të mbijetuar tjerë.

Lideri taleban Hibatullah Akhundzada, ka thënë se qindra shtëpi janë shkatërruar dhe numri i të vdekurve mund të rritet më tepër.

Zëvendësministri për menaxhim të katastrofave, Sharafuddin Muslim, ka thënë në konferencë për media se së paku 920 persona kanë vdekur dhe 600 tjerë janë lënduar.

Tërmeti ka goditur 44 kilometra nga qyteti juglindor Khost, ndërsa shumë nga njerëzit ishin duke fjetur, pasi goditi në ora 01:30.

07:54

Tërmet i fuqishëm në Afganistan, të paktën 250 të vdekur

Një tërmet i fuqishëm ka lënë të vdekur të paktën 250 njerëz dhe qindra të lënduar në Afganistan, ka thënë një zyrtar lokal për BBC-në të mërkurën.

Fotot e shpërndara në rrjetet sociale tregonin njerëz në barela, nën rrënoja dhe shtëpi të rrënuara në provincën Paktika.

Zyrtari i qeverisë ka thënë se numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet, pasi mbi 150 janë të lënduar dhe aktualisht po marrin trajtim. Disa janë në gjendje të rëndë.

Tërmeti pati epiqendrën rreth 44 km nga qyteti juglindor i Khostit.

Lëkundjet u ndien në më shumë se 500 km në Afganistan, Pakistan dhe Indi, sipas Qendrës Sizmologjike Mesdhetare Evropiane.

Tërmeti - i cili goditi gjatë orëve të para të mëngjesi në kohën kur shumë njerëz po flinin - ishte një tërmet me magnitudë 6.1 në një thellësi prej rreth 51 km, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së.