Botë

Lideri i partisë në pushtet, Kaczynski largohet nga qeveria polake

Lideri i partisë në pushtet “Ligj dhe Drejtësi” (PiS) në Poloni, njëherësh zëvendëskryeministër, Jaroslaw Kaczynski, ka dhënë dorëheqjen nga pozita i tij në qeveri, bëri të ditur të martën agjencia e lajmeve PAP.

"Unë nuk jam në qeveri më. Ia kam paraqitur tashmë një mocion kryeministrit dhe ai është miratuar. Me sa e di, presidenti e ka nënshkruar gjithashtu atë”, ka thënë Kaczynski, sipas PAP-it.

Kaczynski, i cili ishte gjithashtu kreu i komitetit qeveritar të sigurisë kombëtare dhe çështjeve të mbrojtjes, tha se ai do të zëvendësohej nga Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Mariusz Blaszczak.

Kaczynski kishte sinjalizuar më parë se donte të jepte dorëheqjen nga funksionet qeveritare në mënyrë që të fokusohej në përgatitjet e partisë në pushtet për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.

"Vendosa se duhet të përqendrohem në gjërat që janë më të rëndësishme për të ardhmen e Polonisë. Nuk po e mbivlerësoj rolin tim, por partia duhet ta rifitojë energjinë, sepse koha më e rëndësishme për çdo parti politike në botë po afrohet”, ka thënë ai për PAP.

PiS është në pushtet që nga fundi i vitit 2015, por Kaczynski iu bashkua qeverisë vetëm në tetor të vitit 2020.

Kaczynski ishte më parë kryeministër në vitet 2006-2007. Vëllai i tij binjak Lech, ishte president nga viti 2005 deri në vitin 2010, kur ai vdiq në një aksident me avion në Rusinë perëndimore.