Botë

Edhe Greqia me të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor

Sofia Grammata, e dërguara e posaçme e Greqisë për Ballkanin Perëndimor

Ambasadorja greke në Bukuresht, Sofia Grammata, është emëruar e dërguar e posaçme e vendit të saj për Ballkanin Perëndimor, ka njoftuar të mërkurën Ministria e Jashtme e Greqisë, raportoi e përditshmja greke, Ekathimerini.

Vendimi sipas ministrit të Jashtëm, Nikos Dendias, tregon se Greqia i kushton rëndësi parësore konsolidimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

“Në këtë drejtim, ajo promovon përforcimin e marrëdhënieve dypalëshe mbi bazën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare, të ligjit ndërkombëtar dhe mbështet në mënyrë aktive perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga ministria.

Ajo ka shërbyer më parë si drejtuese e Drejtorisë për Evropën Juglindore të Ministrisë së Jashtme.

Ndonëse është emëruar e dërguar speciale për Ballkanin Perëndimor, ajo do të vazhdojë të kryejë detyrat e reja paralelisht me ato ekzistuese.

Të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor kanë edhe SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe BE-ja.