Botë

Navalny transferohet në një burg tjetër: Udhëtimi im në hapësirë vazhdon

Lideri opozitar rus, Alexei Navalny, ka konfirmuar të mërkurën, se është transferuar në një burg tjetër dhe është karantinuar.

Navalny ka shkruar në Telegram se është transferuar në burgun e sigurisë së lartë IK-6, në fshatin Melekhovo të rajonit Vladimir, rreth 250 km në lindje të Moskës, raportoi Associated Press të mërkurën.

Navalny, kundërshtari politik më i vendosur i presidentit rus, Vladimir Putin, më parë ishte mbajtur në burgun IK-2 në rajonin e Vladimir, i cili shquhet për metodat e rrepta ndaj të burgosurve.

“Udhëtimi im në hapësirë ​​vazhdon. Unë kam lëvizur nga anija në anije”, ka shkruar Navalny të mërkurën.

Ai tha se ishte i mbyllur në një "regjim të rreptë" dhe në karantinë, por nuk foli për kushtet e tij.

Navalny u arrestua në janar të vitit 2021 pas kthimit nga Gjermania, ku ishte duke u rikuperuar nga helmimi me agjent nervor, gjë për të cilën ai e fajësoi Kremlinin.

Ai mori një dënim prej 2 vjet e gjysmë për shkeljen e kushteve të lirimit me kusht, ndërsa ishte jashtë Rusisë.