Agjentët italianë të antidrogës kanë sekuestruar të martën 4.3 tonë kokainë me vlerë prej gati 250 milionë euro në qytetin port verilindor të Triestes, duke i dhënë një goditje grupit kriminal të Klanit të Gjirit të Kolumbisë në një nga sekuestrimet më të mëdha të drogës ndonjëherë në Evropë, shkruan ABC News.
Urdhër-arrestet po ekzekutoheshin për 38 persona të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge në Itali, Slloveni, Kroaci, Bullgari, Holandë dhe Kolumbi. Sekuestrimi u krye nga policia financiare italiane dhe u koordinua nga hetuesit antimafia, pas një hetimi njëvjeçar që përfshinte edhe Sigurinë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Operacioni i fshehtë dha një tjetër goditje të fortë ndaj një prej grupeve më të rëndësishme të drogës në Kolumbi", thanë hetuesit antimafia.
Muajin e kaluar, bosi i dyshuar i Klanit të Gjirit u ekstradua nga Kolumbia në Shtetet e Bashkuara. Dairo Antonio Usuga David, i njohur më mirë me pseudonimin Otoniel, përballet me padi nga SHBA-ja në tre gjykata federale.
Presidenti kolumbian Ivan Duque në kohën e ekstradimit e krahasoi atë me Pablo Escobarin, ish-kreun e ndjerë të kartelit të drogës Medellin, duke e quajtur atë "trafikantin më të rrezikshëm të drogës në botë". Usuga David kishte qëndruar në arrati për më shumë se një dekadë duke korruptuar zyrtarët shtetërorë.
Autoritetet në Itali vlerësojnë se grupet kriminale kanë paguar 96 milionë euro për kokainën, e cila do të kishte vlerën 240 milionë euro në tregun italian. Agjentët e fshehtë depërtuan në zinxhirin e kontrabandës së drogës, i cili vepronte në rajonet veriore të Venetos dhe Lombardisë, rajonin e Lazios duke përfshirë Romën dhe rajonin jugor të Kalabrisë.
Së bashku me drogën, agjentët sekuestruan edhe 1.8 milionë euro para në dorë, si dhe automjete që dyshohet se përdoren për trafik, duke përfshirë një kamion të madh.